Lajme

Mungon një avokate, dështon të nisë gjykimi në mungesë ndaj dy të akuzuarve për krime lufte

02/05/2025 11:57
nga:N K

Në mungesë të avokates Milka Milosavljeviq, ka dështuar të nisë gjykimi ndaj të akuzuarëve Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, të cilët po akuzohen për krime lufte.

Gjykatësi Rrahman Beqiri bëri të ditur se një ditë më parëkanë kontaktuar me mbrojtësen e të akuzuarit Deniq, avokaten Milka Milosavljeviq, e cila i ka njoftuar se në seancë do të paraqitet por me një vonesë prej gjysmë ore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi tha se vendbanimi i të akuzuarve është i panjohur, andaj edhe do të zhvillohet gjykim në mungesë.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme dështoi kurse e radhës pritet të mbahet një ditë tjetër.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në 27 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, të cilët po akuzohen se si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë luftës në Kosovë, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Prishtinës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, morën pjesënë dëbimin e popullatës civile shqiptare, plaçkitjen e tyre, kryerjen e dhunës fizike dhe psiqike ndaj tyre.

Aktakuza thotë se me përdorimin e dhunës dhe veprimeve tjera çnjerëzore kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143, par.1, nënpar.1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.