Lajme

Mungon ish-ministri Rikalo, dështon gjykimi për korrupsion

05/25/2022 11:17
nga:N M

Për shkak se ish-ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo mungoi në seancë, ka dështuar gjykimi për korrupsion ndaj tij, sekretarit të përgjithshëm i kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë të akuzuarve tjerë Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kapllan Halimi, avokati Artan Çerkini ka thënë se ai e ka njoftuar të akuzuarin Rikalo që seanca e sotme potencialisht mund të dështojë, pasi që gjykatësja Shadije Gërguri mund të mos jetë e pranishme për shkaqe shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për shkak se ka një udhëtim prej 400 km, kjo ka qenë arsyeja që me evitu udhëtimin e tij”, tha Çerkini.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Rikalo, avokati Miodrag Brkljaq, ka thënë se i akuzuari Rikalo do të jetë i pranishëm për seancën e nesërme.

Gjatë kësaj seance, ishte paraparë vazhdimi i dhënies së mbrojtjes së të akuzuarve, mirëpo pasi që nuk janë përmbushur kushtet ligjore për mbajtjen seancës, kryetari i trupit gjykues, Mentor Bajraktari, të njëjtën e u shtyu për 26 maj 2022.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “Novus” SH.P.K, për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes granteve), koncorziumit “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që i pandehuri Nenad Rikalo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt, më 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç‘rast edhe programin ua dorëzon vet të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.

Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’ua mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vet ministri Rikalo.

Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa, sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëjë kontroll administrativ, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkëlzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural.

Kështu thuhet se i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’iu mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme ngase vet ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në këtë mënyrë buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro.

Sipas akuzës, të akuzuarit Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’u mundësojë përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanë shpallur fitues konzorciumin “Novus” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konzorciumin “Dhemetra” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konzorciumin “DOO Zubin Potok”, për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”