Lajme

Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për mosdeklarim të pasurisë nga asamblistit i Fushë Kosovës

07/19/2022 16:50
nga:G B

Në mungesë të këshilltarit të Kuvendit Komunal në Fushë Kosovë, Naser Grajçevci, është shtyrë seanca e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku i njëjti po akuzohet se nuk ka deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor, ndaj tij është lëshuar urdhëresë për verifikim adrese.

Sipas gjykatësit të rastit Eroll Gashi, në fletë dërgesën e 6 korrikut, i akuzuari ka rezultuar i panjohur pa emër të babait, sepse ekzistojnë disa persona me emër dhe mbiemër të njëjtë dhe gjykatësi Gashi ka thënë se ndaj tij do të lëshohet urdhëresë për verifikim adrese.

Në seancë prezent ishte edhe prokurorja Ajshe Ferati.

Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta është shtyrë në afat të pacaktuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 14 shtator 2021, Grajçevci në cilësi të zyrtarit të lartë publik, Këshilltar i Kuvendit Komunal në Fushë Kosovë, duke qenë i informuar brenda afatit ligjor nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë.

Sipas aktakuzës, i njëjti ka qenë i detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit përmes formularit për deklarimin e pasurisë, nga 1 deri 31 mars te vitit 2021 për periudhën 1 janar deri 31 dhjetor 2020, mirëpo i njëjti edhe pse ka qenë i informuar brenda afatit ligjor, nuk e ka bërë në afatin e paraparë por e ka bërë me vonesë.

Me këtë, Grajçevci po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430 par.1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi