Në mungesë të dëshmitarit Labinot Bazaj, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj Idriz Hysenajt, ish-drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Drenasit, i cili akuzohet për keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Lidhur me mungesën e dëshmitarit Bazaj, kryetari i trupit gjykues Avni Syla tha se i njëjti e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar, duke shtuar se për të njëjtin gjykata ka pranuar një e-mail zyrtar nga prokurori se ai jeton në Gjermani.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Idriz Hysenaj, avokati Tahir Rrecaj propozoi që në cilësi të dëshmitarit – të dëmtuarit, të ftohet përfaqësuesi i Komunës së Drenasit për të sqaruar të gjitha rrethanat të cilat janë objekt i akuzës, të cilin propozim nuk e kundërshtoi prokurori i shtetit Bashkim Zeqaj, ndërsa e aprovoi trupi gjykues.
Ndërkaq, prokurori Zeqaj i propozoi gjykatës që në cilësi të dëshmitarit të ftohet edhe kryetari i komisionit për vlerësimin e banesave, për të cilin gjykatësi Syla tha se do të vendos pasi të dëgjohet përfaqësuesi i komunës, varësisht nga nevoja se a do të jetë e arsyeshme për të sqaruar ndonjë çështje.
Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre, dhe e radhës u caktua më 8 dhjetor 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Idriz Hysenaj në mes të periudhës kohore nga viti 2014 e deri më 15 tetor 2019, në vazhdimësi, si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti në cilësinë e personit zyrtar, fillimisht asamblist i Kuvendit Komunal në Drenasit e pastaj drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në këtë komunë, në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe biznesin e tij, ua kishte dhënë me qira në shuma të ndryshme gjashtë banesa në kate të ndryshme personave N.K, B.O, D.H, L.B, J.R, M.S, të cilat kanë qenë pronë e komunës në fjalë.
Sipas aktit akuzues, në disa raste u kishte dhënë në shfrytëzim banesat të cilat kanë qenë pronë e Komunës së Drenasit personave të caktuar nga të cilët kishte marrë tokën për ndërtimin e banesave, apo prej qytetarëve që kishin blerë banesë nga ana e firmës së tij “Kulla Com”, deri në përfundim të banesave .
Në këtë mënyrë, në aktakuzë thuhet se Kuvendit Komunal në Drenas i kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa vetes dhe kompanisë së tij i kishte sjellë dobi të kundërligjshme pasurore.
Me këtë, Hysenaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.


