Lajme

Mungojnë statistikat për ngacmimet në vendin e punës – publikohet Manuali për zbatimin e politikave në Administratën Publike

11/06/2023 12:01
nga:N K

Zyra për Qeverisje të Mirë ka mbajtur konferencë për publikimin e Manualit për zbatimin e Politikës Kundër Ngacmimit Seksual në Organet e Administratës Publike.

Manuali ofron njohuri praktike për politikën kundër ngacmimit seksual procedurat e raportimit dhe procedurat për trajtimin e rasteve të ngacmimit seksual në vendin e punës.

Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, tha se duhet të punohet nga të gjithë në mënyrë që të adresohen ngacmimet në vendin e punës. Ai ka sqaruar se Qeveria ka miratuar Politikën kundër Ngacmimit Seksual në Organet e Administratës Publike.

Sipas tij, kjo politikë synon të shërbejë si një udhërrëfyes për parandalimin e të gjitha formave të ngacmimit seksual në vendin e punës, për të siguruar një mjedis pune pa diskriminim dhe ngacmim seksual në të gjitha organet e administratës publike.

“Do të thotë për të pasur një ambient të mirëfilltë në mjedisin e punës pa diskimin, pa paragjykim, pa ngacmime seksuale duhet angazhim. Unë e di që për vite kjo ka qenë tabu me kuptimin e plotë të fjalës. Ka ardhur kohe që të  adresojmë çështje në parandalimin e kësaj dukurie. Qeveria ka marrë përsipër t’i adresoj çështjet për parandalimin e ngacmimeve seksuale”.

“Ka qenë kërkesa jonë së bashku me OSCE të bashkëbisedojmë me këtë se çfarë mund të punohet. Patjetër është obligim ngritja e kapaciteteve, duhet të krijohen struktura për luftimin e ngacmimit seksual për administratën publike. Nuk guxojmë të heshtim të mos flasim. Pa dyshim nuk kemi lënë anash edhe sektorin privat”.

Mark Lasser, shef i Seksionit për Ligj dhe Drejtësi në OSBE, tha se e kanë mbështetur Kosovën për hartimin e politikave në këtë drejtim.

Sipas tij, rastet e ngacmimeve në vendin e punës janë prezent, po që mungojnë raportimet.

“Ngacmimi seksual është forma e diskriminimit që ndikon në mjedisin e punë, krijon praktika të padrejta  dhe ndikon negativisht. Edhe pse nuk duket që ka ndonjë statistikë zyrtare për ngacmimet në vend të punës, niveli i pretendimeve për ngacmim seksuale është  shumë i ultë, megjithatë edhe pse mund të ketë shumë pak raportime kundër ngacmimit seksual nuk do të thotë që nuk ndodh ngacmimi”.

“Ngacmimi seksuale është vepër penal sipas legjislacionit të Kosovës. Në sektorin privat ngacmimi në vend të punës është i pranishëm, por mungon raportimi”.

Gzim Shala, nga IKD-ja, tha se Manuali përmbledhë numër të praktikave shumë të rëndësime për trajtimin e këtyre rasteve.

“Dua të theksoj sa i mirë është i përmbledhur manuali, ka një numër të praktikave për trajnimin e pretendimeve apo raportimeve. Rëndësia e vetëdijësimit sa i përket kësaj çështje është shumë me rëndësi. Manuali ka disa konstatime shumë të mira, rekomandime”.

Luljeta Demolli, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, tha se institucionet duhet të bëjnë publike numrin e ngacmimeve në vendin e punës, duke shtuar se mosraportimi është problem teje shqetësuese.

“Është shumë e nevojshme për sektorin e administratës publike të dihen statistikat. Ne si qendër kemi realizuar një hulumtim në sektorin privat. Po mundohemi të bashkëpunojmë me sektorin privat me ndryshuar situatën. Në anën tjetër viktimat në Kosovë janë tipike, pa pushtet të pasigurta në pozita të ulëta, shpesh herë pa kontrata te punës, sidomos në sektorin privat”.

Mos raportimi është një shqetësim tejet i madh. I ftojmë Institucionet që të sjellin numrin  e rasteve të ngacmimit seksual. Në sektorin  privat e kemi problem konkursin, mënyra qysh ftohen gratë në vendin e punës”.