Lajme

Mungojnë avokatët, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të AKPPM-së dhe zyrtarit tjetër

03/11/2022 11:19
nga:N M

Mungesa e avokatëve Skender Musa dhe Leonora Dervishaj u bë shkak që të shtyhet seanca e paraparë për të premten, në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ilir Dushi, dhe zyrtari Bersan Kolgeci po akuzohen për korrupsion.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla ka njoftuar se mbrojtësi i të akuzuarit Dushi, avokati Musa me anë të një parashtrese ka kërkuar nga gjykata shtyrjen e seancës për një datë tjetër, me arsyetimin se në të njëjtën kohë ka të caktuar një seancë tjetër.

Kurse lidhur me mungesën e avokates Dervishaj, e cila mbron të akuzuarin Kolgeci, gjykatësi Syla tha se ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt, por se e njëjta nuk e ka arsyetuar mungesën e saj.

Në këto rrethana, seanca e së premtes u shty për 5 prill 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me këtë rast kishte marr aktgjykim dënues tre herë, në vitin 2017, 2018 dhe 2020, derisa rasti pritet të parashkruhet në vitin 2023.

Në gjykimin e parë, gjykata e shkallës së parë më 13 qershor 2017 Dushin dhe Kolgecin i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim, Haki Ejupin me pesë muaj burg, Edon Hajrullagen me 10.000 euro gjobë.

Mirëpo pas kthimit në rigjykim, i akuzuari Haki Ejupi ishte liruar nga kjo akuzë, vendim ky i cili ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit derisa ishte kthyer në rigjykim për të akuzuarit Dushi dhe Kolgeci.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në shkurt 2018, Dushin dhe Kolgecin i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të njëjtëve u kishte shqiptuar dënime me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh burg për secilin.

Kurse më 5 shkurt 2020, gjykata kishte marr aktgjykim me të cilin kishte shpallur fajtorë dy të akuzuarit Ilir Dushi dhe Bersan Kolgeci për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ku ndaj tyre ishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Në këtë rast i akuzuar për veprën penale “prodhim i ndaluar” kishte qenë Edon Hajrullaga, mirëpo i njëjti me aktgjykimin e vitit 2017 dhe 2018 ishte dënuar me gjobë në lartësi prej 10.000 euro, ndërsa në vitin 2020 ishte marr aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit absolut.

Ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila pretendon se më 7 gusht 2013, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), i akuzuari Ilir Dushi, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të AKPPM-së, Haki Ejupi, në pozitën e drejtorit të Departamentit të Licencimit, në bashkëkryerje me Bersan Kolgecin, drejtor i Departamentit Ligjor, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kjo vepër, sipas kësaj aktakuze, është bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në këtë rast për operatorin ekonomik “Prima Pharm”.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bersan Kolgeci, duke vendosur sipas ankesës së këtij operatori ka lëshuar një rekomandim më 7 gusht 2013, me të cilin ka rekomanduar drejtorin e Administratës që t’i bëjë përgatitjet dhe t’i lëshohen “Prima Pharm-it”, banderolat për barna.

Në aktakuzë thuhet se këtij operatori i janë lëshuar gjithsej 435.124 banderola, për 18 produkte medicinale, kështu që këtij subjekti i është lejuar që barnat e importuara nga Kina në mars të vitit 2013, t’i plasojë në treg, edhe pse sipas këtij akti akuzues ky rekomandim nuk është dashur që t’i lëshohet.

Arsyeja për mos lëshimin e këtij rekomandimi për “Prima Pharm”, sipas aktakuzës, ishte mungesa e certifikatës së Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP). /BetimipërDrejtësi