Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), të premten, ka marrë vendim për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Ky vendim erdhi si pasojë e gjendjes së rënduar në këto objekte, për shkak të mungesë së oksigjenit dhe problemeve shëndetësore që po iu shfaqen punëtorëve dhe stafit shkak i gjendjes së objekteve.
“Ky reduktim në këto dy prokurori vjen si rezultat i gjendjes së renduar në këtë objekt, si pasojë e mungesës së theksuar të oksigjenit dhe problemeve shëndetësore të shfaqura në baza ditore tek prokurorët dhe stafi mbështetës i këtyre dy prokurorive”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se puna në këto prokurori do të realizohet me prokurorë dhe staf administrativ kujdestar, për t’i kryer punët e natyrës urgjente dhe veprimet e caktuara sipas afateve ligjore.
“Me qëllim të realizimit të punëve emergjente, këto dy prokurori do të caktojnë prokurorë dhe staf administrativë për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente dhe veprimet e caktuara sipas afateve ligjore”, thuhet tutje.
KPK thekson se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) merret me menaxhimin e këtij objekti, andaj i bën thirrje kësaj ministrie që të implementojnë sa më shpejtë kontratën për hapjen e dritareve në këtë objekt
“Situata e krijuar në këtë objekt me pasoja shëndetësore nuk i takon përgjegjësisë së Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke qenë se i njëjti ka ndërmarrë veprime të njëpasnjëshme brenda kompetencave të veta për gjetjen e një zgjidhjeje të këtij problemi madhor. Ky objekt është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila është kompetente dhe përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të mëtutjeshme. Të gjendur para kësaj situate, i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të implementojnë sa më shpejtë kontratën për hapjen e dritareve në këtë objekt”, thuhet më tej në komunikatë.
Po ashtu, thuhet se deri në realizimin e këtij projekti, prokuroritë e lartcekura do të punojnë sipas planit emergjent.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk do të mbajë përgjegjësi për kallëzimet penale dhe paditë civile eventuale që mund të paraqiten lidhur me pasojat shëndetësore të shkaktuara nga qëndrimi në këtë objekt”, thuhet në fund të komunikatës.


