Kupa e Botës 2022

Mungesa e Mane në Kupën e Botës, trajneri i Senegalit merr vendim interesant

11/19/2022 07:55
nga:Mergim Rreci

Sadio Mane do të jetë një nga mungesat e mëdha në Botërorin e Katarit që starton më datë 20 nëntor. Sulmuesi senegalez pësoi një dëmtim në tendinë me Bayern Munich në Bundesligë dhe në kombëtare e grumbulluan duke besuar se lojtari do të mund të riaftësohej.

Por, e vërteta ishte e hidhur dhe 30-vjeçari u detyrua t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale dhe pritet të mungojë për një periudhë të gjatë nga tre deri në pesë muaj. Në këtë formë, trajneri i Senegalit, Aliou Cisse mbeti me 25 futbollistë në dispozicion dhe pritej që para se të startonte Botërori, të identifikohej edhe zëvendësuesi i Mane.

Por, një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe Cisse vendosi të shkojë në Katar me 25 lojtarë duke mos e zëvendësuar yllin e skuadrës. Sipas shtypit vendas, janë tre motivet që e shtynë trajnerin Cisse të mos e zëvendësonte Mane. E para lidhet me faktin e vlerësimit për lojtarin e Bayern Munich në lidhje me kontributin e tij në fitimin e Kupës së Afrikës, por edhe kualifikimin në Botëror.

E dyta ka të bëjë me faktin se emri i Mane do të qëndrojë në listën e të grumbulluarëve dhe në rast se kombëtarja afrikane del me një medalje nga Kupa e Botës në Katar, atëherë edhe sulmuesi do të merrte një nderim të tillë.

Dhe e treta që lidhet sërish me një rrugëtim të suksesshëm të Senegalit në Botëror. Nëse ata ia dalin të mbërrijnë në fazat më të rëndësishme të Botërorit, atëherë do të shpërbleheshin në aspektin financiar dhe sërish në këtë formë, edhe mane do të përfitonte.

Kujtojmë se Senegali është shortuar në Grupin A, së bashku me organizatorët e Katarit, Holandën dhe Ekuadorin