Lajme

“Mungesa e buzëqeshjes së parë” – Psikologia flet për shenjat e para të autizimit tek fëmijët

03/26/2024 14:25
nga:N K

Psikologia Mimoza Shahini, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur rreth fëmijëve të lindur me autizëm në Kosovë,  sipas saj institucionet nuk janë nuk duke ndërmarrë me këto raste për diagnostifikim.

Shenjat e para të shprehura të autizmit sipas Shahinit, zakonisht janë foshnjet rreth tre muajshe ku shihet mungesa e buzëqeshjes  së parë.

“Shenjat e para të autizmit dallohen para se fëmija të bëjë vitin e parë për arsye se në moshën tre – muajshe zakonisht ju mungon, interaktiviteti social që është buzëqeshja e parë të cilën  fëmijët më autizëm  mund të mos e zhvillojnë”, tha ajo.

“Në muajin e tetë dhe nëntë fëmija mundet të jetë më pasivë dhe i urtë, prindërit thonë që ka qenë një bebe shumë e urtë, kurrë nuk ka qarë e nuk më ka bezdisur”, theksoi psikologia.

“Prindërit në Kosovë simptomat e para i lidhin me të folurit, ndërsa shumica vinë se fëmijët nuk flasin”, tha tutje ajo.

Sa i përket statistikave Shahini, ka theksuar se pas vitit 2016 ka rritje të mëdha në spektrin e autizmit në Kosovë.

“Në vitin 2015 kanë qenë 86 fëmijë që e kanë vizituar klinikën e autizmit në QKUK, nga janari i vitit 2016 deri më 2 prill 2016 kanë qenë 98 fëmijë. Shifrat prej vitit 2016 kanë filluar të jenë shumë të shprehura”,deklaroi ajo.

Psikologia apelon tek prindërit të edukojnë fëmijët e tyre lidhur me çështjen e autizmit.

“Prindërit duhet të kuptojnë që intervenuesi i parë për fëmijët është vet prindi, prindi duhet të edukojë fëmijën fillimisht për shenjat e autizmit”, deklaroi ajo.

Lidhur me identifikimin e fëmijëve me autizëm, Shahini ka përmendur tiparet e tyre që i dallojnë nga fëmijët tjerë.

“Fëmijët që e kanë autizimin qëndrojnë shumë gjatë duke renditur sendet, rrotulluar, marrë objekte që rrotullohen dhe duke luajtur me duart e tyre. Nëse kësaj i bashkëangjitet edhe mungesa e të folurit dhe vështirësit në komunikim,  bie në sy pjesa joverbale ku fëmija nuk tregon interes për mjedisin, kur nuk përgjigjet, kur e thërrasin me zë dhe nuk gëzohet kur ndodhë një gjë e re”,tha tutje ajo.

Shahini apelon tek prindërit ti ndalojnë fëmijët përdorimin e pajisjeve digjitale.

“Prindërit duhet të edukojnë fëmijët për të mos t’i lënë ata të rrinë para ekraneve qoftë televizor, llaptopa, tableta apo telefona”, tha psikologia për GazetaBlic.

Lidhur me ndihmesën e fëmijëve me autizëm nga institucionet,Shahini e vlerëson se nuk ka përkrahje përpos fëmijëve të psikiatrisë dhe adoleshentëve.

“Institucionet nuk janë duke bërë asgjë, është shumë fatkeqësi që prindërit që kanë fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit janë në mëshiren e vetes së tyre. Nuk ka asnjë institucion që mirret me përjashtim të psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve e cila mirret me diagnostifikimin e këtyre fëmijëve, por që nuk ofron asnjë lloj shërbimi për ta”, deklaroi ajo.

“Është një urgjencë  që duhet të marrin masa institucionet e Kosovës, për faktin se intervenimi i hershëm i autizmit është shumë më i rëndësishëm, dhe kur fëmijët mbërrijnë në adoleshencë atëherë i mbivendosen dhe problemet e adoleshencës dhe ajo e bënë më të vështirë trajtimin e tyre, përfundoi Shahini.

“Në Qendrën Universitare të Kosovës është hapur logopedia për ndihmesë në proceset logopedike për fëmijët me autizëm ndërsa shërbimet logopedike kryhen edhe nëpër institucione private dhe disa organizata joqeveritare në Kosovë”.

/GazetaBlic/