Lajme

“Mungesa e anesteziologëve shkakton vonesa të operimeve në QKUK – arsyet pse po largohen në sektorin privat”

04/01/2024 12:27
nga:N K

Argeta Gashi, kryetare e Shoqatës së Anesteziologëve, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur rreth mungesës së anesteziologëve në QKUK, si dhe për numrin e dorëheqjeve në vitin e kaluar dhe tani në tre muajt e parë të këtij viti.

“Mungesa e anesteziologëve në Republikën e Kosovës është shume evidente, krahasuar me vendet e rajonit, e më e thellë dhe me vendet e BE-së”, tha ajo për Gazeta Blic.

Gashi tregon se sa ka qenë numri i dorëheqjeve në vitin 2023 dhe 2024.

“Në vitin 2023 nuk kemi pasur dorëheqje, mirëpo 3 kolegë janë kthyer nga sektori privat në QKUK. Në vitin 2024 kemi një dorëheqje, mirëpo jemi në proces të kthimit të një anesteziologu me përvojë nga sektori privat”, u shpreh ajo.

Kryetarja e Shoqatës së Anesteziologëve tregon dhe arsyen e ikjes së anesteziologëve nga sektori publik në atë privat.

“Shkojnë në sektorin privat për shkak të ofertës më të mirë, por tani edhe oferta e sektorit publik është dukshëm më mirë se sa ka qenë”, deklaroi Gashi.

Ajo shton se në QKUK pritet të ketë vonesë për operim, për shkak të mungesës së anesteziologëve.

“Normalisht që pritet të ketë vonesa për shkak të mungesës së anesteziologëve, por Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv tenton shpërndarjen sa më proporcionale të anesteziologëve në klinika”, shton tutje ajo.

“Rastet urgjente dhe emergjente nuk kanë vonesa asnjëherë”./Gazeta Blic/