Mundja shqiptare ka shkëlqyer në turneun prestigjioz “Henri Deglane”, një event Grand Prix i zhvilluar në Nice, Francë, duke fituar dy medalje, një të artë dhe një të argjendtë, njofton Federata Shqiptare e Mundjes.
Chermen Valiev dhe Zelimkhan Abakarov janë dy emra që ngjitën flamurin e Shqipërisë në podium, duke arritur rezultate të shkëlqyera.
Chermen Valiev, medalisti i parë olimpik në historinë e Shqipërisë, triumfoi në kategorinë e peshave 74 kg në stilin e lirë, duke fituar medaljen e artë dhe duke treguar përsëri forcën dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme.
Ndërkohë, Abakarov e shndërroi paraqitjen e tij në një tjetër arritje të rëndësishme, duke fituar medaljen e argjendit në kategorinë e peshave 65 kg në stilin e lirë.
“Kampionët tanë treguan edhe një herë se janë në nivelin më të lartë dhe vazhdojnë të na bëjnë krenarë!” -shprehet FSHM.
Ky sukses vjen si një tjetër dëshmi e mundësive të mëdha që ka mundja shqiptare në arenën ndërkombëtare.