Lajme

“Mundësia për zgjedhje të reja në veri”, KQZ: Jemi të gatshëm

06/06/2023 13:49
nga:Genita C

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës kanë filluar të diskutohen në nivelet e larta shtetërore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se KQZ-ja është e gatshme për të kryer detyrat e veta që dalin nga Kushtetuta e Kosovës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, ka thënë Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i komenton zhvillimet politike. KQZ-ja ka dëshmuar se është institucion i cili përmbushë detyrat kushtetuese. Prej disa proceseve zgjedhore, që nga viti 2020, KQZ-ja, si institucion i vetëm, ka realizuar me sukses detyrat edhe në këto katër komuna. Andaj, si KQZ, ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën, shprehim gatishmërinë për të kryer detyrat tona”, tha Elezi për GazetaBlic.