Prishtinë- Ish-përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha, ka iniciuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, kundër vendimit të Ministrisë së Drejtësisë (MD), për shkarkimin e tij.
Në të njëjtën kohë, Komisioni ad-hoc i Ministrisë, ka bërë evidentimin e lëndëve të Mulhaxhës, për të bërë pastaj transferimin e tyre tek përmbaruesit tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sot ka ardhë Komisioni ad-hoc i cili është kriju me vendim të Ministrisë, për evidentimin dhe transferimin e lëndëve të ish-përmbaruesit Ilir Mulhaxha. Sot do të bëhet vetëm identifikimi i lëndëve, numërimi i lëndëve për transferimin e lëndëve”, tha Arbër Guta, avokat i Mulhaxhës.
Mulhaxha ishte shkarkuar nga Ministria e Drejtësisë në shkurt të këtij viti, me arsyetimin se gjatë ushtrimit të profesionit të tij, nuk i është përmbajtur ligjit. Ai thotë se arsyeja e vetme e shkarkimit të tij, është zbatimi i vendimeve gjyqësore.
“Pse i kam zbatu vendimet gjyqësore, për asgjë tjetër të vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar, për këtë arsye jam shkarkuar”, tha Mulhaxha.
Yll Zekaj, avokat i ish-përmbaruesit Mulhaxha, tha se kanë dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese një kërkesë kushtetuese kundër vendimit të MD-së, vendim të cilin e konsiderojnë më shumë politik sesa ligjor.
“Sot e kemi dorëzuar një kërkesë kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit arbitrar dhe të kundërligjshëm, kundër zotrit Ilir Mulhaxha nga MD, duke konsideruar se është më tepër një vendim politik se sa një vendim ligjor”, tha Zekaj.
Avokati Zekaj, tha se beson që Kushtetuesja do t’ua aprovojë argumentet që kanë parashtruar në kërkesë.
“Ne besojmë në bazë të argumenteve që kemi argumentuar sot në kërkesën në Gjykatën Kushtetuese, besoj se e njëjta do t’i aprovojë argumentet tona dhe do të konstatojë dhe një vendim i tillë për shkarkimin e zotrit Mulhaxha nga pozita e përmbaruesit privat është e motivuar politikisht, është i bazuar në shkelje kushtetuese dhe në shkeljen e Konventës për të Drejtat e Njeriut”, tha Zekaj.
Komisioni ad-hoc i Ministrisë së Drejtësisë, kishte tentuar qysh në shtator që të bëjë transferimin e lëndëve të Mulhaxhës tek përmbaruesit e tjerë. Por, ky i fundit kishte rezistuar duke thënë se komisioni ishte i jashtëligjshëm.
“Unë jam viktimë e këtij procesi dhe po i shihni se janë lëndët në këtë zyre tash po presim edhe vendimet për me i transferu lëndët. Ne nuk kemi refuzu, ne e kemi kontestu procesin kemi thënë që komisioni ad hoc nuk është në përputhje me ligjin, informuar sipas ligji të procedurës përmbarimore. Mandej janë bo ndryshimet e ligjit në muajin gusht dhe tani me vendim retroaktiv po mundohen që t’i jepet baza ligjore këtij komisioni”, është shprehur Mulhaxha.
Ish-përmbaruesi Mulhaxha, ka rreth 4 mijë lëndë aktive të përmbarimit. Në lidhje me evidentimin dhe transferimin e tyre, zyrtarët e Komisionit ad-hoc, refuzuan të flasin, por janë shprehur se në zyrën e Mulhaxhës do qëndrojnë gjatë gjithë ditës.
Edhe Eros Gashi, nga Ministria e Drejtësisë, ka thënë se procesi ka filluar, por për shkak të numrit të lartë të lëndëve ende nuk ka përfunduar. Teksa, sa i përket inicimit të rastit në Kushtetuese, ai u shpreh se janë të bindur që vendimi i MD-së, ka qenë i drejtë.
Ilir Mulhaxha u shkarkua më 28 shkurt 2023, pas vendimit të Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Privatë, pasi kishte gjetur shkelje në përmbarimin e një lënde të arbitrazhit ndërkombëtar.


