Lajme

Mulaj: Sot, me krenari dhe respekt, nderuam historinë dhe sakrificën e popullit tonë

01/04/2025 17:28
nga:Sh R

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Besim Mulaj, së bashku me bashkëpartiakë kanë kujtuar dhe vendosur buçeta me lule pranë shtatores së kolonel Tahir Zemajt me rastin e 22 vjetorit të vrasjes së tij.

Mulaj tregon se më pas vazhduan në fshatin Kotradiq, ku zbuluan pllakën përkujtimore në ish Selinë e Shtabit të Brigadës 131 të UÇK-së.

Ai thotë se këto momente na rikujtojnë se historia e lavdishme e popullit tonë është një trashëgimi që na obligon që të punojmë për një të ardhme më të mirë.

Postimi i plotë:

Sot, me krenari dhe respekt, nderuam historinë dhe sakrificën e popullit tonë.

Aktiviteti nisi me homazhe te shtatorja e kolonel Tahir Zemaj në Pejë, bashkë me shumë bashkëluftëtarë, ku kandidatët tanë për deputetë, të udhëhequr nga lideri i LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, shprehën mirënjohjen për një prej heronjve tanë kombëtarë.

Rruga e kujtesës vazhdoi në Strellc dhe më pas në fshatin Kotradiq, ku zbuluam pllakën përkujtimore në ish Selinë e Shtabit të Brigadës 131 të UÇK-së. Aty nderuam familjen Sefaj për kontributin e jashtëzakonshëm në luftën për liri – një familje që na kujton se liria jonë erdhi me shumë sakrifica dhe guxim të pashoq.

Në Baran, i dhamë respektin tonë ish Kazermës së Brigadës 131, duke vendosur lule te pllaka përkujtimore, një vend që simbolizon rezistencën dhe përkushtimin ndaj atdheut.

Këto momente na rikujtojnë se historia e lavdishme e popullit tonë është një trashëgimi që na obligon përherë të punojmë për një të ardhme më të mirë, në unitet dhe respekt ndaj së kaluarës.

Pa besim, s’ka ndryshim!
#BëhuNdryshimi #lumiri2025