Lajme

Mulaj për subvencionimin e Qeverisë: Nëse vazhdojmë kështu rrezikojnë me e kthy Kosovën në shtet asistence

12/26/2025 09:22
nga:Sh R

Besim Mulaj, kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka reaguar ish-ministrit Murati, i cili kishte njoftuar për subvencionimin e mbi 90 mijë familjeve për faturat e energjisë elektrike.

Sipas Mulajt, nga njoftimi i Muratit mund të kuptohet që 1/3 e popullsisë nuk ka mundësi të mjaftueshme për pagesën e energjisë elektrike.

Njoftimin e Muratit, Mulaj e ka cilësuar si statistike varfërie e jo si një sukses qeveritar.

“Ministri Murati po na thonë: “I kemi subvencionu mbi 90 mijë familje.” Hajde bre mashallah… po a e keni pyt veten pse u deshtën me u subvencionu kaq shumë? Kur në Kosovë janë rreth 300–350 mijë familje, e del që gati çdo e treta s’po mundet me e pagu rrymën pa ndihmë. Kjo s’është sukses qeveritar, kjo është statistikë varfërie e paketume bukur për konferencë shtypi. Sipas kësaj logjike, sa ma shumë njerëz në hall, aq ma e “suksesshme” qeveria. Sot subvencion për rrymë, nesër për bukë, pasnesër për ajër – veç mos me pranu që ekonomia s’po funksionon. Pagat n’vend numërimi, çmimet n’garë olimpike, e zgjidhja? Një formular online për ndihmë”, thuhet në reagimin e Mulajt në Facebook.

Numri 79 në listën e LDK-së, Mulaj ka thënë se nuk është kundër ndihmave për familjet në nevojë, megjithatë sipas tij shteti nuk duhet të ndërtohet me asistencë por me punë, prodhim e dinjitet.

“Askush s’po thotë mos me i ndihmu familjet e cenueshme – përkundrazi. Po problemi është kur qeveria sillet sikur ndihma është model zhvillimi, e jo alarm i dështimit. Shteti nuk ndërtohet me asistencë, por me punë, prodhim e dinjitet. Nëse këta vazhdojnë me qeverisë, rrezikojnë me e kthy krejt Kosovën në shtet asistence: një vend ku qytetarët s’pyesin ma “ku po punon?”, por “a e more subvencionin?”. Ironike, pak tragjike”, ka shkruar Mulaj.