Lajme

Mulaj: Pa Besim, s’ka ndryshim – bashkë mund ta bëjmë Kosovën vend më të mirë për të jetuar dhe për të bërë biznes

12/16/2024 19:55
nga:G B

Kandidati për deputet nga LDK, Besim Mulaj, i cili mban numrin 79 në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka thënë se pa Besim s’ka ndryshim, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe për të realizuar këtë potencial, kërkohet një vizion i qartë, veprime konkrete dhe LDK do ta bëjë këtë.

Po ashtu, ai ka treguar dhe reformën strukturore të mirëfilltë për të krijuar një mjedis më miqësor dhe të qëndrueshëm për bizneset në Kosovë.

“Së bashku mund ta bëjmë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar dhe për të bërë biznes. Me përkushtim, profesionalizëm dhe besim, mund të sjellim ndryshimin që të gjithë dëshirojmë”, ka shkruar ndër të tjera Mulaj.

Postimi i tij i plotë:

Pa Besim s’ka ndryshim!

Të dashur qytetarë,

Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Për të realizuar këtë potencial, kërkohet një vizion i qartë, veprime konkrete dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat. LDK ka një ekip të përkushtuar profesionistësh me përvojë të gjerë në menaxhimin e institucioneve publike dhe në sektorin e biznesit. Ky ekip ka propozuar një reformë strukturore të mirëfilltë për të krijuar një mjedis më miqësor dhe të qëndrueshëm për bizneset në Kosovë.

Ndërhyrjet tona synojnë lehtësimin e procedurave për bizneset, sigurimin e qasjes në energji të qëndrueshme dhe inkurajimin e investimeve strategjike që krijojnë vende të reja pune dhe zhvillim afatgjatë. Me angazhimin tonë të përbashkët, mund të ndërtojmë një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme, ku secili ka mundësi të kontribuojë dhe të përfitojë.

Biznesi është tatimpaguesi dhe punëdhënësi më i madh në vendin tonë. Prandaj, meriton përkushtim dhe energji të pakursyer nga institucionet tona. Për këtë arsye, unë angazhohem të punoj me përkushtim në disa prej prioriteteve kyçe që do të ndihmojnë në fuqizimin ekonomik të vendit:

Krijimi i shërbimit “One-Stop-Shop” për bizneset – një pikë unike ku bizneset mund të marrin të gjitha shërbimet administrative pa burokraci të tepërt.

Reformë e thellë e qasjes në energji elektrike dhe politika stimuluese për gjenerimin e energjisë së ripërtëritshme.

Ndërtimi i një centrali energjetik me gaz – një zgjidhje që do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji.

Finalizimi i parqeve të bizneseve në secilën komunë – një mundësi për tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Pauza tatimore deri në 5 vite për investimet strategjike – për të inkurajuar investime të mëdha që krijojnë punësim dhe zhvillim.

Krijimi i politikave stimuluese për investimet nga diaspora – për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm të bashkatdhetarëve tanë.

Siguri ligjore për investitorët – për të ndërtuar besim dhe stabilitet për investimet vendase dhe të huaja.

Së bashku mund ta bëjmë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar dhe për të bërë biznes. Me përkushtim, profesionalizëm dhe besim, mund të sjellim ndryshimin që të gjithë dëshirojmë.

Pa Besim s’ka ndryshim!

Me respekt,

Dr. Sci. Besim Mulaj 79