Besim Mulaj, ka njoftuar se do të hyj në garën zgjedhore për deputet në Kuvendin e Kosovës, raporton GazetaBlic.
Mulaj thotë se me kërkesën e struktuarave të LDK-së në Istog dhe me mbështetjen e qytetarëve e ka marrë këtë vendim.
Ai shton se ky vendim nuk është ambicie personale dhe se politikën nuk e ka parë kurrë si profesion por si mision.
Ndër të tjera ai thotë se asnjë betejë nuk fitohet vetëm, por thekson se kur jemi bashkë, jemi më të fortë se çdo sfidë.
Postim i plotë:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Të dashur simpatizantë të LDK-së,
Të dashur miq, familjarë dhe bashkëudhëtarë të rrugës sime,
Me zemër plot mirënjohje dhe me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj këtij vendi, dua t’ju njoftoj se — me kërkesën e strukturave të LDK-së në Istog dhe me mbështetjen e sinqertë të shumë prej jush — kam vendosur të hyj në garën zgjedhore për deputet në Kuvendin e Kosovës.
Ky vendim nuk është ambicie personale. Politikën kurrë nuk e kam parë si profesion, por si mision. Mision për ta ndërtuar Kosovën që e duam, Kosovën që e meritojmë, Kosovën që u kemi borxh brezave të ardhshëm.
Sot, më shumë se kurrë pas luftës, vendi ynë po përjeton sfida të rënda: Kosova është më e izoluar nga miqtë e saj, çmimet e produkteve bazë janë dyfishuar, ndërsa biznesi po kalon një krizë të paprecedentë për shkak të rritjes së çmimit të energjisë dhe mungesës pothuajse totale të projekteve infrastrukturore të papërfunduara. Administrata publike po punon nën presion të vazhdueshëm, ndërsa mediat — zëri i lirë i shoqërisë — janë më të atakuara se kurrë.
Pikërisht për këtë arsye, unë ndjej detyrimin moral, qytetar dhe njerëzor të angazhohem me gjithë qenien time që LDK të dalë fituese në zgjedhjet e 28 dhjetorit, e Kosova të rikthehet në rrugën e zhvillimit, partneritetit dhe shpresës.
Ju bëj thirrje të gjithëve që e duan këtë vend:
Bashkohuni për ndryshim. Bashkohuni për të ardhmen. Bashkohuni për Kosovën.
Asnjë betejë nuk fitohet vetëm — por kur jemi bashkë, jemi më të fortë se çdo sfidë.
Me respekt të thellë dhe përkushtim të palëkundur,
Dr. Sci. Besim Mulaj


