Lajme

Mulaj kujton deklaratat e VV-së për çmimin e rrymës para se të vinte në pushtet – thotë se duhet komision hetimor për vendimin e ZRRE-së

05/07/2025 21:31
nga:G B

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj, e sheh të paarsyeshme rritjen prej 16.1 për qind të çmimit të energjisë elektrike, për çka thotë se do të ketë pasoja të mëdha.

“Për katër vite është rritja e tretë, është rritje shumë e lartë. Si derivat i rritjes së çmimit të energjisë mund të kemi rritje të çmimit të produkteve tjera. Rritja e çmimit nuk ka qenë e arsyeshme dhe janë dhënë dhjetëra argumente pse s’duhet të ndodhë. Me këtë logjikë, pse i duhet Kosovës një treg i rregulluar, duhet treg i lirë për energji. ZRRE është dashur të gjejë zgjidhje në bazë të analizave dhe propozimeve të bëra, por si duket në marrëveshje me operatorët dhe me miratimin e heshtur të qeverisë e ka marrë vendimin. Pasojat do të jenë shumë të mëdha jo vetëm për ekonominë familjare”, ka thënë ai për Expose të Gazeta Blic.

Sipas tij, është jo e drejtë që i njëjti vendim të mos vlejë dhe për komunat veriore

“ZRRE është jotransparente dhe jo e drejtë karshi interesit publik. E para, gjykata e ka obliguar ZRRE që t’ua kthejë paratë konsumatorëve që kanë paguar për mbi 10 vite për veriun dhe kjo nuk po ndodhë, nuk po respektohet vendimi i gjykatës. Së dyti, ZRRE duhet të jetë organ i pavarur për të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe pjesa veriore është pjesë e Kosovës, andaj secili shërbim do të duhej të ofrohej në kushte të barabarta”, është shprehur Mulaj.

Ai thotë se përpos çmimit të lartë, bizneset do të paguajnë dhe për depresionin ekonomik në vend.

“Bizneset do ta vërejnë menjëherë rritjen e çmimit të rrymës dhe do t’i rrisin çmimet e produkteve të tyre, por po ashtu do të paguajnë për një lloj depresioni të ekonomisë në Kosovë, nuk ka te pronarët apo menaxherët e bizneseve nuk po shohin ndonjë optimizëm të madh që Kosova është në një rrugë të mirë të zhvillimit ekonomik”, ka vlerësuar ai.

Mulaj kujton deklaratat e Kurtit dhe VV-së para se të vinin në pushtet dhe ndryshimet më pas.

“Kryeministri Kurti dhe qeveria e VV-së kanë pasur deklarata të jashtëzakonshme para se të vinin në pushtet, duke akuzuar qeveritë e mëhershme për privatizim të distribucionit duke akuzuar KEDS dhe KESCO për vjedhje të mëdha të qytetarëve të Kosovës dhe po ashtu patën thënë se kur të vijnë në pushtet do ta rishikojnë kontratën me operatorin KEDS dhe KESCO. Realisht nuk ka ndodhur asnjëra. Sot KEDS blen energji prej KEDS-it për 28 euro dhe e shet në treg të Kosovës mbi 80 euro megavatin”, ka potencuar Mulaj.

Sipas tij, nëse në Kuvend do të formohej komision hetimor për vendimin e ZRRE-së, do të gjendeshin shumë shkelje.

“Po të kishim një kuvend funksional, një komision të pavarur që do t’i hetonte të gjitha vendimet e ZRRE-së, mendoj se do të gjendeshin shkelje të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Ismet Mulaj./Gazeta Blic/