Lajme

Mulaj: Kryeministër, çfarë keni bërë për 4 vite për të rritur rezervat e ujit në Kosovë?

01/09/2025 09:16
nga:G B

Kandidati për deputet nga LDK, Besim Mulaj, ka pyetur kryeministrin se çfarë ka bërë për 4 vite për të rritur rezervat e ujit në Kosovë, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kosova është vendi më i varfër sa i përket rezervave ujore dhe kjo është gjendje alarmante që kërkon veprime të menjëhershme.

Ai ka thënë se qeveria aktuale nuk ka vizion dhe nuk mendon për të ardhmen, duke shtuar se Kosovës i duhet një qeveri që kupton rëndësinë e projekte madhore dhe kjo është LDK.

Postimi i tij i plotë:

“Kryeministër, çfarë keni bërë për 4 vite për të rritur rezervat e ujit në Kosovë?”

Kosova është vendi më i varfër në Evropë sa i përket rezervave ujore. Gjendja jonë aktuale është alarmante dhe kërkon veprime të menjëhershme, por kjo qeveri nuk ka marrë asnjë iniciativë konkrete për të ndërtuar rezervuarë të rinj apo për të përmirësuar infrastrukturën ekzistuese.

Të gjitha ujëmbledhësit që kemi sot janë ndërtuar në kohën e komunizmit, me mbështetje financiare nga institucionet ndërkombëtare. Për katër vite me radhë, kjo qeveri nuk ka ndërmarrë as edhe një hap për të investuar në këtë fushë jetike. Nuk është ndërtuar as edhe një kilometër gyp për ujë të pijshëm apo për ujitje, duke lënë vendin tonë të ekspozuar ndaj krizave të mundshme ujore.

Raporti i fundit i NATO-s për sigurinë dhe sfidat e ardhshme të rajonit tregon qartë se ndryshimet klimatike dhe mungesa e investimeve në infrastrukturën ujore përbëjnë rrezik të madh për stabilitetin socio-ekonomik të vendeve të Ballkanit, përfshirë Kosovën. NATO ka theksuar se vendet që nuk krijojnë rezerva ujore dhe nuk përmirësojnë qasjen e qytetarëve në ujë të pijshëm, rrezikojnë jo vetëm krizën mjedisore, por edhe sigurinë kombëtare.

Kjo qeveri mendon vetëm për sot dhe nuk ka as vizion, as përkushtim për të ndërtuar projekte kapitale që do të siguronin një të ardhme më të mirë. Rezervat ujore nuk janë thjesht çështje infrastrukture – ato janë siguri kombëtare dhe një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.

Kosovës i duhet një qeveri që kupton rëndësinë e projekteve madhore dhe ka vizion për të siguruar të ardhmen. Një qeveri që nuk investon në burimet më elementare, si uji, dështon të mbrojë interesat bazë të qytetarëve të saj.

Është koha për një ndryshim të vërtetë – një qeverisje të LDK-së me vizion dhe përkushtim për projekte të mëdha dhe të domosdoshme, për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Uji është siguri kombëtare, dhe Kosova nuk mund të presë më!

#BëhuNdryshimi #kosova #besimmulaj #LDK #NR79