Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Besim Mulaj, me numër 79 në listë,thotë se prodhimi i energjisë duhet të jetë prioritet kombëtarë për dekadën e ardhshme.
Ai thotë se me një menaxhim të duhur, Kosova mund të kaloj nga importues i energjise në një eksportues të fuqishëm.
Ndër të tjera ai thotë se me vizionin dhe përkushtimin e duhur, Kosova mund të shndërrohet në një shtyllë të stabilitetit energjetik të Ballkanit dhe të ndërtojë një të ardhme më të ndritur për qytetarët e saj.
Postimi i plotë:
Kosova mund të jetë një “Mini-Fuqi Ballkani në Energjinë Elektrike”
Një nga prioritetet e mia si aktivist i LDK-së, deputet i ardhshëm dhe profesor i ekonomisë është që Kosova të shndërrohet në një mini-fuqi të Ballkanit në sektorin e energjisë elektrike. Potenciali ynë është i jashtëzakonshëm, dhe duhet të bëhet bazamenti i zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit rajonal të vendit.
Kosova ka burime të pasura natyrore për prodhimin e energjisë, përfshirë linjitin, energjinë e erës dhe atë diellore, si dhe hapësira për integrimin e gazit natyror në sistemin energjetik. Me planifikim strategjik dhe investime të mençura, ne mund të sigurojmë prodhim të bollshëm energjie për nevojat tona dhe të kemi kapacitete për eksport drejt vendeve të rajonit.
Prodhimi i energjisë duhet të jetë prioritet kombëtar për dekadën e ardhshme. Kjo nënkupton:
• Rritjen e kapaciteteve prodhuese duke modernizuar centralet ekzistuese dhe ndërtuar të reja.
• Investime në energjinë e ripërtëritshme si era dhe dielli për një qasje më të qëndrueshme ndaj mjedisit.
• Përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e furnizimit.
• Tërheqjen e investimeve nga kapitali privat dhe përdorimin efikas të burimeve publike për të financuar këtë transformim.
Me një menaxhim të duhur, Kosova mund të kalojë nga importues i energjisë në një eksportues të fuqishëm. Rajoni i Ballkanit ka nevojë për burime të sigurta energjetike, dhe Kosova mund të ofrojë stabilitet në këtë drejtim, duke përfituar ekonomikisht dhe strategjikisht.
Sipas parashikimeve, kërkesa për energji elektrike në vend pritet të rritet rreth 10-15% çdo vit. Kjo kërkon jo vetëm shtimin e kapaciteteve prodhuese, por edhe një qasje të re për menaxhimin e energjisë si një aset kombëtar.
Pa besim, s’ka ndryshim!
Me vizionin dhe përkushtimin e duhur, Kosova mund të shndërrohet në një shtyllë të stabilitetit energjetik të Ballkanit dhe të ndërtojë një të ardhme më të ndritur për qytetarët e saj.


