Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka njoftuar se ka dorëzuar kandidaturën për kryetar të Qendrës së kësaj partie në Mitrovicë.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook Muja e quan procesin e brendshëm zgjedhor të LVV-së si një nga më të rëndësishmit.
“Sot dorëzova kandidaturën për kryetar të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE në Mitrovicë. Ky vendim vjen pas një përvoje mbresëlënëse si Koordinator i Qendrës, takimeve dhe diskutimeve me aktivistë dhe qytetarë mitrovicas. Ky proces zgjedhor është nga më të rëndësishmit marrë parasysh dyfishimin e mbështetjes qytetare për Lëvizjen VETËVENDOSJE, organizimin tonë politik, dhe mundësitë që kemi për Mitrovicën”, shkruan ai.
“Kandidimi im është në funksion të avancimit të politikave qendrore dhe lokale, përfshirjes së aktivistëve dhe mërgatës në politikëbërje, shtrirjes së mëtutjeshme dhe rritjes së anëtarësisë, veçanërisht të rinjve, studentëve, profesionistëve, grave dhe vajzave. Angazhimi im do të jetë në shërbim të arritjes së qëllimeve të Lëvizjes VETËVENDOSJE, gjithnjë dhe pa u shkëputur asnjëherë nga populli”, shton Muja.


