Lajme

Muja për raportin në rastin Dehari: Nuk mund të spekulojë, ende se kam parë

04/12/2022 19:57
nga:Astrit Gashi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvëndosje Armend Muja ka folur për raportin e Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Megjithatë, deputeti Muja ka thënë se ende nuk e ka parë raportin dhe se është në pritje të tij për të dalë pastaj me një qëndrim.

Tutje, Muja ka thënë se në raportin e ekspertizës së parë dyshimet janë hedhur te një person i tretë.

“Unë nuk e kam pa këtë raport, në ekspertizën e parë… dhe nuk do të spekulojë. Kështu që në këtë fazë nuk do të shtoja diçka. Ndërkaq, në raportin e ekspertizës së parë të gjitha dyshimet janë hedhur te një person i tretë”.

Prokuroria Speciale Kosovës, ka njoftuar se më 1 prill ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Sipas njoftimit dërguar mediave, raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë për rastin e Astrit Deharit, konstaton se “analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me Deharin, në momente të afërta me vdekjen (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali) nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij, Astrit Dehari”.

Gjithashtu në raport, sipas Prokurorisë Speciale, thuhet se analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Deharit, kanë treguar prani të kafeines e jo etanolit.

Astrit Dehari u gjet i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016.

Kryeprokurori i rastit, tashmë në pension, Sylë Hoxha, pati thënë se Dehari ishte dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Prizrenit, ndërkaq drejtori i këtij Spitali Afrim Avdaj, kishte konfirmuar se Dehari ishte pa shenja jete kur u pranua në spital dhe kishte gërvishje në qafë e duar.

Drejtori i Policisë për rajonin e Prizrenit Nexhmi Krasniqi, kishte deklaruar se si shkak i konsumimit të barnave, Astrit Dehari kishte rënë në gjendje kome dhe gjatë rrugës për në emergjencë kishte vdekur.

Por si shkak i deklaratave kontradiktore të institucioneve, familja e të ndjerit kishin kërkuar që autopsia e trupit të djalit të tyre të mos bëhet pa prezencën e mjekëve të pavarur që do të caktohen nga familja. Ekspertiza është bërë nga Qendra e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Zvicër dhe kjo që është zbuluar sot (12 prill), është ekspertizë shtesë.