Trepça 89′ nesër do të ballafaqohet me Prishtinën në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Trepça 89′ dhe Prishtina luajnë nesër me fillim nga ora 15:00, në kuadër të xhiros së 31’të të Superligës së Kosovës, shkruan GazetaBlic Sport.
Prishtina pas fitores ndaj Dritës në fundjavë kërkon të vazhdojë formën e mirë dhe të garojë për titullin, kurse Trepça 89′ hyn në këtë duel pas humbjes nga Llapi dhe kërkon këndelljen – dhe dëshiron ngjitjen në tabelë pas gabimit të Feronikelit në takimin e sotëm ndaj Arbërisë.
Sulmuesi i rrezikshëm i Trepçës 89′, Arbnor Muja ka theksuar se ndeshjet në udhëtim janë të vështira – por skuadra e tij ka objektivat e tyre dhe janë përgatitur për rezultat pozitiv.
“Ndeshjet në udhëtim janë gjithmonë të vështira, e sidomos kundër një kundershtari që synon titullin, por ne kemi objektivat tona dhe jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen që të dalim me një rezultat pozitiv”, tha fillimisht Arbnor Muja për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai poashtu potencoi se kanë studiuar lojën e Prishtinës dhe do të provojnë të shfrytëzojnë mundësinë që t’i shmangen zonës së rrezikshme.
“Kemi studiuar lojën e Prishtinës dhe i dimë pikat e dobëta dhe të forta të tyre, do të provojmë t’i shmangemi zonës së kuqe qysh nga loja e nesërme, mendoj që duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë mundësi”, përfundoi Muja.
/GazetaBlic Sport


