Lajme

Muja: Ftesa e Trumpit për Osmanin rrit reputacionin e saj në fund të mandatit

01/22/2026 19:10
nga:Y I

Profesori, Basri Muja ka vlerësuar se ftesa e presidentit amerikan Donald Trump për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, mund të ketë ndikim pozitiv në imazhin e saj publik, veçanërisht në përfundim të mandatit presidencial.

Muja, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka deklaruar se kjo është një nga ditët më të mira të Osmanit gjatë mandatit të saj, pasi sipas tij, ngjarja mund të kontribuojë në rritjen e reputacionit të saj te një numër i madh i votuesve në Kosovë.

“Kjo është një nga ditët më të mira të saj në këtë mandat, posaçërisht tani në fund të mandatit, kur ka shumë diskutime për mundësinë e saj për një mandat të dytë, interesim që ajo tashmë e ka shprehur. Mendoj se dita e sotme është pozitive në ngritjen e reputacionit të saj, sidomos te një masë e madhe votuesish kosovarë, të cilët afërsinë me Trumpin e konsiderojnë shumë të rëndësishme, pa marrë parasysh përmbajtjen”, ka thënë Muja.

Ai ka shtuar se, ndonëse iniciativa për paqen mbetet ende e paqartë dhe nuk është përqafuar nga të gjitha shtetet kryesore perëndimore, Kosova nuk ka alternativë tjetër përveçse të rreshtohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pa dashur ta zvogëloj rëndësinë e këtij takimi, mendoj se iniciativa si e tillë është ende e paqartë. Ka hezitime, pasi shtetet më të rëndësishme perëndimore ende nuk janë pjesë e saj. Trump ka modelin e vet të bërjes së diplomacisë, shpesh merr iniciativa personale jashtë arkitekturës tradicionale të diplomacisë ndërkombëtare dhe nuk dihet jetëgjatësia e tyre. Por, sido që të jetë, Kosova nuk ka alternativë tjetër dhe gjithmonë duhet të rreshtohet aty ku është Amerika”, ka deklaruar Muja.

Ndryshe, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot në Davos të Zvicrës ka nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes, në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke përfaqësuar Republikën e Kosovës në këtë iniciativë ndërkombëtare për paqen.

Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026.