Lajme

Muhaxheri: Qeveria ka dështuar në mënyrë sistematike – Rritja e çmimeve të energjisë është pasojë e keq menaxhimit në sektorin energjetik

04/23/2025 21:15
nga:Sh R

Ekonomisti Arton Muhaxheri, thotë se vendimi i ZRRE për shtrejntimin e energjisë elektrike është simptomë e një dështimi të thellë të qeverisë në sektorin energjik dhe ekonomik të vendit, raporton GazetaBlic.

Muhaxheri në një prononcim për GazetaBlic, thotë se kemi të bëjmë me një qeveri që ka hequr dorë nga përgjegjësia për të mbrojtur interesin publik dhe që e sheh qytetarin si një barrë e jo si prioritet.

“Vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike është simptomë e një dështimi të thellë qeverisës në sektorin energjetik dhe ekonomik të vendit. Ky vendim nuk ka ardhur si rezultat i një analize të qëndrueshme të tregut, por si pasojë e mungesës së strategjisë afatgjate për sigurimin e furnizimit stabil dhe të përballueshëm me energji. Në thelb, kemi të bëjmë me një qeveri që ka hequr dorë nga përgjegjësia për ta mbrojtur interesin publik dhe që e sheh qytetarin si një barrë, jo si një prioritet”, tha ai.

Tutje, thekson se rritja e tarifave të energjisë është një goditje e drejtëpërdrejtë ndaj stabilitetit ekonomik të familjeve kosovare.

“Rritja e tarifave të energjisë nuk është thjesht një çështje faturash më të larta – është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit ekonomik të familjeve kosovare. Në një vend ku paga mesatare mezi e përballon koston e jetesës, çdo cent i shtuar në faturë përkthehet në më pak ushqim në tryezë, më pak ngrohje, dhe më shumë borxhe. Sot, në disa qytete të Kosovës, një bukë ka arritur çmimin prej 80 centëve. Kjo nuk është thjesht statistikë – kjo është pasqyra e varfërisë që po zgjerohet dhe e një shteti që ka hequr dorë nga roli i tij social”, u shpreh ai.

Muhaxheri potencon se qeveria e Kosovës ka dështuar në mënyrë sistematike.

“Qeveria e Kosovës ka dështuar në mënyrë sistematike. Ka dështuar të investojë në burime të reja energjetike. Ka dështuar të përkrahë prodhimin vendor dhe ka refuzuar të ndërmarrë masa për të mbrojtur shtresat në nevojë. Ka premtuar shumë për tranzicion të gjelbër, por në praktikë ka lënë qytetarët në mëshirë të importit të shtrenjtë dhe të paqëndrueshëm të energjisë”, theksoi Muhaxheri.

Ndër të tjera ai thotë se rritja e çmimit edhe te produktet tjera esenciale po ndodh për shkak të mungesës së një mekanizmi qeveritar për kontrollin e inflacionit dhe për mbrojtjen e konsumatorit.

“Mungesa e politikave mbështetëse për prodhuesit dhe konsumatorët ka shkaktuar efekt domino në treg. Me rritjen e kostos së prodhimit dhe shpërndarjes për shkak të çmimit të energjisë, është rritur çmimi i të gjitha produkteve esenciale: bukës, vajit, miellit, qumështit. Kjo po ndodh në mungesë të një mekanizmi qeveritar për kontrollin e inflacionit dhe për mbrojtjen e konsumatorit”, tha ai.

Por sipas tij, fajin për gjithë këtë situatë bie mbi qeverinë, ku sipas tij qeveria duke u fshehur pas ZRRE po përpiqet t’i ikë përgjegjësisë.

“Faji për këtë situatë bie plotësisht mbi qeverinë. Është një qeveri që nuk reagon, nuk planifikon dhe nuk e kupton barrën që po e mbart qytetari i zakonshëm. Duke u fshehur pas ZRRE-së, ekzekutivi po përpiqet të ikë nga përgjegjësia, por është pikërisht mosveprimi i tij që ka krijuar këtë krizë. Qeveritë nuk zgjidhen për të ndjekur tregun, por për ta udhëhequr dhe rregulluar atë në funksion të interesit publik”, shtoi ai.

Muhaxheri thotë se duhet një rivlerësim i menjëhershëm i vendimit të ZRRE-së dhe pezullimi i çdo rritjeje derisa të ndërmerren masa për mbrojtjen e konsumatorëve.

“Çfarë duhet të ndodhë? Së pari, duhet një rivlerësim i menjëhershëm i vendimit të ZRRE-së dhe pezullimi i çdo rritjeje derisa të ndërmerren masa për mbrojtjen e konsumatorëve. Së dyti, duhet të futet në fuqi një paketë emergjente ekonomike për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve për familjet me të ardhura të ulëta dhe për sektorët kyç të prodhimit. Dhe së treti, duhet një strategji serioze për sigurinë energjetike kombëtare – me investime në prodhim vendor, diversifikim të burimeve dhe rritje të efiçiencës”, shprehet Muhaxheri.

Ndër të tjera ai shton se Kosova nuk e ka luksin të udhëhiqet nga një qeveri që më shumë kujdeset për balancat politike sepse për jetesën e qytetarëve.

Tutje potencon se vendi ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme, kompetente dhe me vullnet për të mbrojtur interesin publik.

“Kosova nuk ka luksin të udhëhiqet nga një qeveri që më shumë kujdeset për balancat politike sesa për jetesën e qytetarëve. Ky është momenti kur duhet të flasim qartë: vendi ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme, kompetente dhe me vullnet të hekurt për ta mbrojtur interesin publik. Çdo vonesë është kosto që po paguhet me standardin e jetesës së qytetarit të zakonshëm”, përfundoi Muhaxheri për GazetaBlic.