Analisti politik Artan Muhaxheri, në ”Click” të RTV21, ka kritikuar qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj procesit të formimit të Qeverisë së re, duke thënë se ai është më shumë i fokusuar në balotazhin në Mitrovicë sesa në detyrimet kushtetuese.
“Kurti është më i fokusuar në zgjedhjet e balotazhit sesa në formimin e Qeverisë, për të cilën jam i bindur se nuk do ta arrijë ta formojë,” tha Muhaxheri.
Sipas tij, Kurti nuk ka kohë për formimin e Qeverisë sepse e di që nuk i ka numrat, dhe për këtë arsye po e zvarrit procesin.
“Ai është i përqendruar tek Mitrovica. Ajo që duhet të bëjë është formimi i Qeverisë, por ai nuk i ka numrat dhe nuk do të mundet ta bëjë. Kurti nuk dëshiron të jetë i kontrolluar nga partitë opozitare – ai ose e do gjithë pushtetin, ose nuk pranon një qeveri të këtij formati,” shtoi Muhaxheri.
Sipas tij, zvarritja e afateve nuk është e rastësishme dhe reflekton një strategji për të shmangur përgjegjësinë politike.
“Formimi i Qeverisë është shumë më i rëndësishëm sesa fushatat lokale apo shkuarja në Mitrovicë,” përfundoi ai.


