Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti dhe kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha do të jenë në listë për kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për GazetaBlic, Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
“Do të jetë Gazmend Muhaxheri, kryetari i Pejës, Imri Ahmeti, kryetari i Lipjanit dhe Burim Berisha, kryetar i Fushë Kosovës. Pra, do të jenë në listë për kandidatë për deputetë”, tha Mustafa.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku gjatë fjalimit të tij tha se Kosova po qëndron në një udhëkryq kritik, ku të gjitha shtyllat identitare të Kosovës janë vënë në peshorën e fateve të popullistëve.
I pari i LDK-së, kritikoi edhe qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje për gjatë tri vite e gjysmë, që sipas tij është dështim spektakular. Dhe se çdo kosovar është varfëruar për një të tretën e të hyrave të tij.
“Aq vështirë është të dështosh me 51%, sa edhe dështimi në vete është një mjeshtri. Ky pushtet nuk e përdori për të avancuar shtetin në rrugëtimin e domosdoshëm konsolidues dhe në një moment shumë të favorshëm ndërkombëtar, por e përdori për të ushtruar arrogancë, për të ushqyer propagandë, e për të ndjellë polarizim ndërshoqëror, që vendin tonë të vogël e ndau thellë, e mbylli rëndë dhe e kurthoj keq”, tha Abdixhiku. /GazetaBlic/