Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, ka thënë se zotimi i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, që do të ofroj 1 miliard euro në prodhim, nuk bëhet fjalë për ndihmë të drejtpërdrejtë për biznese.
Muharremi tha se me këtë premtim, VV-ja ka parashikuar 1 miliard euro ‘garanci’ që t’i fus bizneset në kredi, por jo që t’i ndihmojë ato drejtpërdrejt.
“Asnjë cent nga këto 1 miliardë nuk do të shkojë direkt te bizneset. Te bankat po. Bizneset do të marrin kredi, por jo përkrahje të drejtpërdrejtë. Kjo masë ka pak efekt, pasi ul disi normat e interesit dhe rritë akcesin në kredi dhe nxit investimet. Por tepër ndikim të kufizuar, indirekt”.
“Nuk është një masë apo veprim që ka me pas efekt të duhur. Nuk është përkrahja e drejtpërdrejtë që u nevojitet prodhuesve dhe bizneseve vendore, veçanërisht tani kur, me politika të majta ndihmash, kjo qeveri e ka rritur importin e mallrave në mbi 6 miliardë euro dhe deficitin tregtar në mbi 5 miliardë euro në vit (nga 2.8 miliardë kur mori qeverisjen për të menaxhuar ekonominë)”, tha Muharremi.
Më tej, ai kujtoi edhe kohën kur VV-ja siç tha, për interesin e tyre kush ishin në pyetje votat, ua dhanë direkt nga 100 euro pa asnjë aplikim 70 mijë personave apo 70 milionë euro të paplanifikuara më parë.
“Nuk ju thoshin ‘shkoni në bankë dhe merrni kredi’, por i hidhnin paratë direkt në llogaritë e tyre. Ndërsa tani, për bizneset, thonë: ‘Ne vetëm garantojmë te bankat se ju duhet të merrni kreditë’”, tha ai.