Lajme

Muharremi: PDK-ja ka një stabilitet të theksuar të votave, por duhet t’i thyej kufijtë e saj

11/15/2024 11:40
nga:Shenoll Muharremi

Analisti Shenoll Muharremi ka analizuar Partinë Demokratike të Kosovës.

Ai ka vlerësuar se partia më e madhe opozitare në vend është subjekt politik që ka stabilitet elektoral.

Në profilin e tij në “Facebook”, Muharremi ka shkruar se kjo parti duhet t`i thyej kufijtë e saj.

“Rezultatet e zgjedhjeve të PDK sugjerojnë që kjo parti ka një stabilitet të theksuar. Por tani prioritet për të është që fillimisht të rikuperohet nga shoku i vitit 2021 dhe kaloj tek mesataren e saj historike e votave. Mbi të gjitha, PDK duhet të ‘trazoj’ rahatin dhe stabilitetin e saj dhe të bëhet më ambicioze duke rimodeluar vetën me nevojat e së ardhmës. Kjo, eventualisht, do të mundësoj që PDK të arrijë, në të ardhmën një moment shpërthyes që LDK dhe LVV tashmë e kanë manifestuar si parti politike”, ka shkruar Muharremi.

Ai ka treguar numrin e votave që kjo parti ka marrë ndër vite.

“PDK është, për nga votat dhe për Kuvend të Kosovës, një ndër partitë me një stabilitet më të theksuar të votave. LDK dhe LVV kanë pasur periudha dramatike dhe paqëndrueshme në aspketin që janë rritur dhe kanë pasur rënie më të theksuara. LDK ka dominuar në fillim të viteve 2000ta, por ka pësuar rënie (dy herë 2007 dhe 2021) të theksuara. Gjitashashtu LVV ka pasur një rritje të papredecan prej 341% nga viti 2014 në 2021. PDK në anën tjetër ka treguar një lloj stabiliteti ku ka startuar me rreth 200,000 vota dhe kulmin e ka arritur me 245,627 në vitin 2017. Partia ka pësuar rënien më të thellë gjatë vitit 2021 kur ka rënë në 148,285 ku duket se është edhe themeli i përkrahjes. PDK ka një mesatare të qëndrueshme 202,126 vota”, ka shkruar ai.