Lajme

Muharremi – Kurtit pas njoftimit për rritjen e pagës minimale: Po shisni të ardhmen e Kosovës për disa vota më shumë

12/09/2025 14:02
nga:G B

Analisti ekonomik Shënoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj propozimit për rritjen e pagës minimale në 500 euro, duke e cilësuar këtë masë si një përpjekje të pushtetit për të “korruptuar votuesit” në prag të zgjedhjeve dhe si një veprim të pamenduar që rrezikon bizneset dhe ekonominë e vendit.

Sipas Muharremit, rritja e pagës minimale duhet të diskutohet me komunitetin e biznesit dhe të mbështetet në analiza profesionale, e jo të merret si vendim elektoral.

“Ja nisën me i korruptu votuesit për vota? Po shitet e ardhmja e Kosovës, e po rrezikohen bizneset dhe ekonomia, për disa vota më shumë.
Mirë është që rritet paga minimale, se fuqia blerëse ka rënë për tokë. Por çfarë efekti ka rritja në 500 euro për sektorin privat, a ka shiqu najkush? A nuk duhet maspari të bisedohet me bizneset? A kemi bërë ndonjë studim? A e dimë çfarë efekti ka në ekonomi?”

Ai theksoi se mungesa e dialogut me sektorin privat dhe mungesa e analizave serioze e bën këtë vendim të rrezikshëm për operacionet biznesore.

“Keni vendosë paushall, sa për me marrë vota. Pastaj le të digjet ekonomia e bizneset. Njësoj si me energjinë: nuk kanë krijuar kapacitete, kanë rritur importin, çmimet kanë shkuar në qiell dhe kanë përzënë bizneset nga rrjeti.”

Muharremi paralajmëroi se rritja e pagës minimale në këtë mënyrë do të çojë në rritje të mëtejshme të çmimeve dhe kostove të operimit për bizneset, duke rënduar edhe më shumë qytetarët.

“Kjo masë ka me rritë çmimet edhe më shumë. Kush e paguan në fund këtë? Jo ministrat me kursimet e tyre. Bizneseve u rritet kostoja, ata e rrisin çmimin te qytetari.
Pastaj çka ndodh? Bizneset kosovare bëhen më pak konkurrente, rritet importi, deficiti tregtar dhe çmimet shkojnë edhe më lartë.”

Ai shtoi se vendimet e fundit ekonomike janë marrë pa vlerësim profesional dhe vetëm për qëllime elektorale.

“Po bëhet politikë ekonomike për me e korruptu votuesin, pa vlerësim profesional dhe pa e ditur ndikimin në treg dhe ekonomi. Bizneset tashmë janë nën presion nga energjia dhe importet; ky vendim vetëm sa i godet edhe më shumë.”

Muharremi paralajmëroi se përfiton vetëm politika, ndërsa qytetarët dhe vendi humbin.

“Përfiton partia në pushtet, por rrezikohet biznesi, ekonomia, rritet importi dhe shtohet migrimi i rinisë. Me fjalë tjera, po shitet e ardhmja e Kosovës për disa vota më shumë sot.”