Lajme

Muharremi komenton rezultatin e LDK-së: Fati i LDK-së lidhet me fatin e Kosovës

01/07/2026 13:35
nga:Sh R

Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, por është ndalë më shumë tek LDK, duke thënë se me këtë rezultat sipas tij befasues është vështir me qëndru e mbyllur, dhe se për këtë duhet të ketë transaprencë dhe qartësi.

Ai ka sugjeruar disa nga pikat të cilat duhet t’i bëjë LDK, por ka theksuar se shumë më mirë do të ishte sikur të kishte një debat të brendshëm konstruktiv dhe shterues, sesa të vazhdohet si kanë filluar në publik me u akuzu njëri-tjetrin.

Shkrimi i plotë i Muharremit:

Fati i LDK-së lidhet me fatin e Kosovës

LDK, me këtë rezultat befasues, vështirë është me qëndru kaq e mbyllur. Duhet të ketë transparencë dhe qartësi.

Sigurisht që është puna e tyre dhe ata munden me i manaxhu si kanë dëshirë punët e tyre, por pasi që është parti politike publike dhe është edhe interes i Kosovës, mirë është me qenë sa më transparent.

Ne mundemi me shku më zgjedhjet pas disa javëve e muajve, dhe koha do të shkoj tepër shpejt. Partia nuk ishte dashur të hyj në një cikël tjetër zgjedhor pa qartësi të plotë dhe koncensus e bashkëpunim, bashkim, të brendshëm. Sa më shumë vonon gjendja aktuale, aq më shumë mundet të rrezikohen.

Kjartësia, vendimet, ciladoqofshin ato duket se janë thelbësore. LDK ka shumë pak kohë me u rigrupu dhe me u përgatitë për zgjedhje eventuale të pranverës. Gjendja e saj aktuale është kritike, por potenciali është aty dhe gjasat për rikuperim gjithashtu.

Ndoshta puna e parë është që duhet me tregu se si vazhdon partia. A do të ketë ndryshime e reflektim, apo vetëm rioganizim dhe ndryshim të qasjes.

Vetëm mjegulla nuk i konvenon, se shkakton huti, pasiguri dhe frikë për të ardhmën.

Pas zgjedhjeve kishte një reagim, por ditët e fundit nuk po ndodhë asgjë. Ndoshta duhet më shumë kohë, por koha nuk po duket se po punon për të se thashethëmet po shtohen.

Çka do të ndodh pas kësaj. Cilat janë hapat përpara. A do të vazhdoj partia dhe menaxhmenti sikur deri më tani, apo do të ketë reflektim.

Pavarësisht qëndrimeve dhe vendimeve, duhet me pas transparencë. Përkundër situatës shumë komplekse dhe rezultatit të papritur, transparenca, bashkëpunimi, komunikimi me publik dhe hapja e ndihmojnë partinë dhe Kosovën.

Gjithashtu, shumë më mirë është me pas debat të brendshëm konstruktiv dhe shterues, sesa të vazhdohet si kanë filluar në publik me u akuzu njëri-tjetrin.