Opinion

Muharremi: Bullgaria duhet me u ftu dhe me ju bashkangjitë bashkëpunimit ushtarak Kroaci, Shqipëri dhe Kosovë

01/10/2026 15:15
nga:Shenoll Muharremi

Bullgaria duhet me u ftu dhe me ju bashkangjitë bashkëpunimit ushtarak Kroaci, Shqipëri dhe Kosovë

Jemi në një tranzicion global të sigurisë ku arkitektura e marrëdhënieve ndërkombëtare po transformohet e ndryshon me dinamikë të shpejtuar. Mbase jemi në një epokë të pasigurisë dhe të panjohurës. E si thuhet, mënyra më precize për me parashiku të ardhmën, është me e formësu atë.

Kosova është tepër e varur nga modeli aktual i sigurisë ku dominon NATO. Jo vetëm e varur, por edhe sovraniteti dhe integriteti i Kosovës garantohen nga ky sistem… i cili duket se mund të ndryshojë.

Marrëdhëniet ndërkombëtare si i kemi njohur, interesat po ndryshojnë dhe ligji ndërkombëtar po bëhet i parëndësishëm. Bashkëpunimet, interesat… po ndryshojnë.

Një skenar që Kosova duhet me konsideru, një mes tjerash, është edhe një botë pa NATO apo me një NATO krejt ndryshe nga sot. Një aventurë në Groenlandë javët dhe muajt e ardhshëm mund t’i acarojë marrëdhëniet mes aleatëve në NATO, e SHBA dhe Danimarka, përfshirë shumë vende të Europës, mund të ndryshojnë.

Në këtë skenar, KFOR mund të gjendet në një situatë të vështirë. Interesat e vendeve të NATO-s mund të ndryshojnë, e kjo mund të ndikojë edhe në terren në Kosovë.

Sidoqoftë, në një botë ku NATO ndryshon apo në raste ekstreme nuk ekziston si e njohim, apo SHBA tërhiqet, Kosova mund të jetë shumë e rrezikuar.

Derisa Serbia vazhdon të ketë qeveri e autoritete që janë kërcënim për vendet e rajonit, Ballkani nuk do të jetë i qetë. Jo vetëm Kosova, por edhe BiH dhe Maqedonia… Mali i Zi mund të jenë të rrezikuara.

Për këtë arsye, në një situatë ku NATO/KFOR “dështon” si opsion, arkitektura rajonale e sigurisë mund të zëvendësojë këtë kornizë sigurie dhe të ofrojë një ombrellë të re të sigurisë.

Në këtë frymë, bashkëpunimi dhe aleanca ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Bullgarisë do të ndikonin pozitivisht të mirëmbahet paqja në Ballkan. Për më tepër, do t’i “kontrollonin” ambiciet për aventura potenciale të politikanëve nacionalistë dhe ekspansionistë në

Serbi për realizimin e “Serbisë së Madhe” të Car Dushanit.

E jo vetëm Kosova dhe Kroacia, por edhe Bullgaria mund të jetë e rrezikuar në një hallakamë të re të sigurisë në Ballkan, e ku NATO nuk është më faktor apo është shumë i përçarë.

Prandaj, është interes edhe i Bullgarisë të bashkangjitet në Aleancën e Paqes dhe Sigurisë mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo nuk do të kishte asnjëherë objektiva agresive, por do të ketë karakter mbrojtës. Nëse një vend sulmohet, të gjitha intervenojnë.