Në prag të sfidës me Irlandën e Veriut, drejtori sportiv i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti ka deklaruar për SuperSport se motivimi i skuadrës është maksimal, për të fituar në ditën e 4-vjetorit të ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit dardan Fadil Vokrri.
Gjithashtu Sahiti pranoi vështirësitë e krijuara për shkak të dëmtimeve dhe pezullimeve, megjithatë tha se skuadra do të provojë të bëjë më të mirën dhe të dalë me tre pikë.
“Lojtarët janë të motivuar, pasi jemi në 4-vjetorin e ndarjes nga jeta të Fadil Vokrrit, një legjendë e futbollit kosovar, që gëzon respekt në mbarë vendin, jo vetëm te futbollistët. Kemi pasur disa probleme, por do të japim maksimumin në ndeshjen sot dhe shpresoj që të marrim fitoren.
Zhegrova nuk do të jetë as në ndeshjen ndaj Greqisë, pasi ka pasur një dëmtim të vogël muskulor dhe e ka mbyllur para kohe grumbullimin me kombëtaren.
Kemi shumë mungesa, qoftë për shkak kartonësh, por edhe për shkak dëmtimesh dhe kjo i ka komplikuar zgjedhjet e trajnerit Giresse”, u shpreh drejtori sportiv i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti.


