Sporti

Muharrem Jashari rrëfehet për aventurën në futbollin ukrainas: Gjithçka është normale, futbolli është agresiv – jam adaptuar shpejtë

04/11/2024 13:21
nga:Lorik J

Muharrem Jashari po kalon momente mjaft të mira në Ukrainë tek ekipi i tij i ri, LNZ Cherkasy.

Jashari i cili ndër vite ishte një nga lojtarët më të mirë në futbollin kosovar, arriti të bëjë hapin tutje që të transferohet në futbollin europian. Ai kaloi në Ukrainë gjatë merkatos së janarit – teksa shpejt u adaptua atje dhe po bën paraqitje shumë të mira, duke treguar kualitetin që posedon.

26 vjeçari thotë se po ndihet shumë mirë në ekipin e ri, pasi e kanë pritur mirë dhe është adaptuar shpejt.

“Po, jam adaptu dhe nuk e kam prit këtë adaptim të shpejtë, sepse futbolli këtu është më ndryshe se në Kosovë, edhe me taktikat që na jep trajneri jam përshtatur mirë si dhe me lojtarët, të gjitha ndeshjet i kam luajtur, vetem një ndeshje s’kam mundur të luaj, sepse kam qenë pak i lënduar”, tha fillimisht Muharrem Jashari për ‘GazetaBlic Sport’.

Sa i përket jetës dhe futbollit në Ukrainë, Jashari potencon se gjithçka është normale – asnjë ndeshje nuk është ndëprerë apo anuluar shkaku i luftës – teksa lojën e cilëson si agresive.

“Nuk është vështirë siç thuhet, sepse asnjë ndeshje nuk është anuluar ose nderprerë, të gjitha kanë qenë normale dhe jeta këtu është normale – të gjitha janë hapur dhe qarkullimi i njerzve është normal, futbolli këtu është shumë i ashpër, shumë agresiv dhe me një intensitet shumë të lartë dhe ka ekipe shumë cilësore – pra kualiteti është shume i lartë”, vazhdoi ai.

Mesfushori thotë se kalimi në Ukrainë është trampolinë e mirë për të – sepse me paraqitje pozitive, në të ardhmen mund të kalojë në një skuadër më të fortë.

“Normal që mendoj që është trampoline e mirë, sepse nese bëjmë paraqitje të mira, ke edhe sukese – normal që do transferohesh në një lige edhe më të fortë duke e pa edhe çfarë ekipe ka këtu në Ukrainë”, shtoi ai.

Në fund, Jashari tha se shpreson se ish klubi i tij Drita të bëhet kampion këtë sezon në Superligën e Kosovës në futboll.

“I kam përcjell disa ndeshje të Dritës, besoj dhe do isha shumë i lumtur nëse këtë vit behën kampion”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/