Mesfushori i njohur kosovar, Muharrem Jashari i cili luan tek Trepça 89′ është ftuar nga kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet e fundit të muajit qershor, ndaj Guinesë dhe Gambisë.
Në këtë dy ballafaqime që do të luhen në Antalia, Jashari ka marrë ftesë nga Challandes që ta përfaqësojë Kosovën, shkruan GazetaBlic Sport.
Jashari thotë se kur kuptoi lajmin se do të jetë pjesë e kombëtares së Kosovës është emocionuar, pasi ëndrra e tij ka qenë gjithmonë të përfaqësojë kombëtaren e Kosovës.
“Po, është hera e parë që kam marrë ftesën nga kombetarja A, kur më lajmëruan u emocionova, sepse ëndrra ime është të jem pjesë e kombëtares A dhe u ndjeva shumë i lumtur”, tha fillimisht Muharrem Jashari për ‘GazetaBlic Sport’.
Jashari kishte një sezon të mirë individual, por skuadra e tij nuk arriti të mbijetojë në Superligë edhe stinorin e ardhshëm.
“Unë jam munduar me të gjitha aspektet e mia që të mbesim në Superligë, por ja që ky është futbolli dhe u zhgenjeva, por jam shumë i lumtur që kam marrë ftesën e kombëtares A”, vazhdoi Jashari.
Në fund, Jashari potencoi se do ta japë maksimumin, pasi ëndrra e tij është realizuar.
“Unë padyshim që do të japë maksimumin tim këto ditë që do jemi të grumbulluar, sepse kjo është ëndrra ime të jem pjesë e këtij grumbullimi, pastaj shohim çfarë do të ndodhë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


