Neymar mund të largohet nga Santos në fund të vitit dhe të transferohet te Inter Miami në janar 2027, ku do të ribashkohej me ish-shokët e tij të Barcelonës, Lionel Messin dhe Luis Suárezin.
Ish-mesfushori i Brazilit, Felipe Melo, ka deklaruar se Neymar pritet të kalojë në MLS pasi kontrata e tij me Santos skadon në dhjetor. Megjithatë, deri më tani nuk ka një marrëveshje zyrtare mes palëve dhe bëhet fjalë për një mundësi që po diskutohet.
Nëse transferimi realizohet, do të rikthehej një prej tresheve më të famshme të historisë së futbollit. Messi, Suarez dhe Neymar formuan treshen “MSN” te Barcelona, duke luajtur së bashku nga viti 2014 deri në vitin 2017 dhe duke krijuar një nga repartet sulmuese më të frikshme në futbollin evropian.
Neymar u largua nga Barcelona në vitin 2017 për t’iu bashkuar Paris Saint-Germainit, ndërsa më vonë edhe Messi dhe Suárez u ndanë nga klubi katalanas. Një ribashkim i tyre në Miami, rreth një dekadë më vonë, do të ishte padyshim një prej lëvizjeve më të bujshme në MLS.
/GazetaBlic Sport/


