Lojërat elektronike të njohura si “E-Gamings” janë parë çdoherë me skepticizëm në shoqërinë e Kosovës.
Megjithatë viti 2022, ishte një ndër vitet më të suksesshme në këtë kategori pas arritjeve të “Bad News Eagles” në CSGO në dy majoret apo turnet më të mëdha në botë për këtë lojë.
Përveç suksesit të tyre, gamera të shumtë arritën që t’ia zbardhin fytyrën Kosovës, edhe pse disa në vëmendje më të paktë mediatike.
Një prej tyre është edhe Qlirim Isufi i cili ka reprezantuar Kosovën në lojën e famshme “Efootball” të njohur ndryshe edhe si “PES”.
Qlirimi së bashku me lojtarin nga Shqipëria Emeraldo Xristou arritën të mposhtin ekipin serb në Kampionatin Ballkanik që po zhvillohej në mes të Beogradit, ku këta të fundit ishin edhe favorit pasi ishin kampion ballkanik.
Isufi në pika të shkurta tregon për GazetaBlic Sport se si nisi karriera e tij në sferën ndërkombëtare.
“Për herë të parë për të shkuar në gara ballkanike jam kualifikuar në tetor të vitit 2020 ku e kam përfaqësuar Shqipërinë, pastaj në vitin 2021 së bashku me bashkëlojtarin Genc Shala në Kampionatin Evropian kemi reprezantuar Kosovën. Edhe pse luajtëm ndeshje të mira në fund u pozicionuam në vendin e tretë në grup ku për tre pikë nuk u kualifikuam tutje. Pastaj shkova në gara evropiane në efootball 2023(pes 2023) në Mal të Zi në Podgoricë së bashku me Besnik Thaçin[delegat], ne grup kisha Izraelin, Gjeorgjinë dhe Hungarinë. Grupi ishte i fortë pasi Gjeorgjia ishte kampion botëror kurse Izraeli gjysmëfinalist i Kampionatit Botëror, edhe këtu u pozicionova në vendin e tretë në grup”, tha fillimisht ai.
Qlirim Isufi tregon edhe për fitoren e fundit ndaj ekipit serb në Beograd.

“Në Kampionatin e fundit Ballkanin arrita të mposht Serbinë në Beograd, ku Serbia është kampion Evropian dhe finalist i Kampionatit Botëror, në këtë kampionat isha me bashkëlojtarin nga Shqipëria Emeraldo Xristou. Kjo padyshim që ishte një fitore speciale pasi që të mposhtësh një nga skuadrat më të mira në botë në shtëpinë e tyre në Beograd është ndjenjë e bukur që të shton motivimin dhe besimin për të ecur përpara”, shtoi Isufi.
Isufi ndër të tjerash tregon se pasioni i tij për lojërat elektronike ka nisur që në moshën e re duke potencuar se përkrahja nuk ka qenë në nivelin e duhur as nga institucionet as nga familjarët pasi që sipas tij ende ka shumë paragjykime sociale për ‘gamerat’.
“Kam nis të luaj që në moshën 4-5 vjeçare në consolen ‘sega genesis’ loja e parë ka qenë “aladdin” që ishte një ndër lojërat më të vështira për t’u përfunduar, pastaj kam fillu me “Playstation 2″ duke luajtur shumë lojëra të ndryshme, përveç lojës së futbollit të cilën nuk e kam njoft as në jetën reale, por duke u inkuadruar në jetën reale duke luajtur futboll nisa edhe pasionin për futbollin në lojëra elektronike. Në vitin 2009 në Pro Evolution Soccer 2009 në moshën 9-10 vjeçare fillova me lujt më shumë, kështu duke vazhduar të përmirësohem arrita të bëhem prej lojtarëve më të mirë në rrethin ku jetoj në Gjilan, pastaj në 2013 në PES 13 arrita të rangohesha në Top 500 lojtarët më të mirë në botë duke fituar edhe disa turne të ndryshme”.
Isufi tregon se në Kosovë është e vështirë të sigurosh mbijetesën duke zhvilluar karrierën si lojtar i lojërave elektronike, duke krahasuar se në shtetet perendimore gamerat kanë të ardhura të mira nga kjo punë.

“Në shtetet perendimore është më e lehtë për të pasur çasje në tournamente pasi shteti dhe organizata të ndryshme përkrahin lojtarët, ndërsa në Kosovë është shumë më e vështirë, sepse dikush mund ta ketë talentin dhe dëshirën për t’u bërë ‘gamer’ profesional, por duhet të punoj për të mbështetur ekonominë familjare, dhe kjo është shumë sfiduese për të rinjtë në Kosovë”, shtoi ai për GazetaBlic Sport.
Përkrahja institucionale dhe familjare sipas tij është minimale.
“Deri tani sa kam parë përkrahja e familjarëve është zero, por kjo s’është e çuditshme pasi në përgjithësi në sport në të vërtet nuk është që të rinjtë kanë përkrahje e lëre më në gaming. Ndërsa prej institucioneve apo organizatave e kemi “Xportal” të cilët më kanë ndihmuar tej mase me u kyç në gara evropiane për efootball 2022-23 duke më ndihmuar në aspektin e dokumentacioneve”.

Ai tregon se ambiciet e tij në gaming janë të mëdha dhe nuk mendon të ndalet këtu.
“Ja vlen të merresh me lojërat elektronike, por gjithnjë duhet të kesh edhe një garanci tjetër si shkollimin.Njëjtë kam vepruar edhe unë duke mos lënë anash fakultetin dhe biznesin dhe poashtu edhe jam duke u marrë me krijimin e lojërave që do të lansoj në “App Store”. Viti 2022 ka qenë i suksesshëm pasi jam ballafaquar me lojtarët më të fortë në botë dhe disa prej tyre edhe i kam mposhtur. Me eksperiencën e fituar në këtë vit, shpresoj në vitin 2023 pretendoj t’i bie shtetit të Kosovës ndonjë medalje. Pra synimi im është vendi i parë në Ballkan dhe në Europë e më pastaj edhe në botë, ku shpresojë që të marrë edhe ndonjë kontratë nga ndonjë klub evropian si Barcelona, Roma apo Juventus dhe të garojë në nivel klubesh”, përfundoi Isufi për GazetaBlic Sport.


