Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë të Ministrit për Informacion dhe Telekomunikacion të Serbisë, Dejan Ristiq, më 24-26 Dhjetor 2024.
Nga MPJD për Tëvë1 kanë thënë se vendimi ka ardhur pas veprimeve të Qeverisë së Serbisë për refuzimin e lejimit të vizitave të shumicës së përfaqësuesve të lartë të Qeverisë së Kosovës, në Luginë.
“Ju njoftojmë që Republika e Kosovës ka refuzuar kërkesën për vizitë në Republikën e Kosovës të Ministrit për Informacion dhe Telekomunikacion të Serbisë, Dejan Ristiq, më 24-26 Dhjetor 2024. Ky vendim vjen pas veprimeve të Qeverisë së Serbisë për refuzimin e lejimit të vizitave të shumicës së përfaqësuesve të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, veçanërisht të vizitave që synohen të kryhen në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, qëndrim ky që është ashpërsuar edhe më shumë gjatë muajve të fundit dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit për Vizitat Zyrtare”, thuhet në njoftimin e MPJD-së për Tëvë1.
Ministria e Punëve të Jashtme të martën ka bërë të ditur se Serbia ia ka refuzuar kërkesën për vizitë zyrtare njëditore ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlës në Medvegjë e Bujanoc më 23 dhe 24 dhjetor.
Sipas MPJD-së, përkundër faktit që janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara për vizita të tilla zyrtare, Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për lejimin e kësaj vizite.