Lajme

MPJD: Tetë shtetas të Kosovës janë evakuar nga Izraeli, shtatë në pritje për t’u larguar, asnjë i vrarë dhe i lënduar!

10/10/2023 12:13
nga:Y I

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar për “Gazeta Blic” se tetë shtetas që kanë kërkuar ndihmë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem janë larguar nga territori i Izraelit.

Nga MPJ bëhet e ditur gjithashtu se edhe shtatë shtetës të tjerë të Kosovës janë lajmëruar në Ambasadë dhe se të njëjtit janë të sigurtë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Nga Ministria e Jashtme konfirmojnë se Ambasada po qëndron në komunikim të vazhdueshëm me këta shtetas për t’iu ofruar zgjidhje.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton mediat dhe opinionin publik, se si rezultat i sulmit terrorist ndaj shtetit të Izraelit që ndodhi të shtunën, më 7 tetor, 2023 në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem deri më tash kanë kërkuar ndihmë tetë shtetas të Republikës së Kosovës.Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që kërkuan ndihmë tashmë janë larguar nga territori i shtetit të Izraelit. Ndërkohë, në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’i ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore” thuhet në përgjigjen e MPJD-së për “Gazeta Blic”

Nga MPJD-ja bëhet e ditur se janë në kontakt të vazhueshëm edhe me shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen për punë atje.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po mban kontakte të vazhdueshme edhe me shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen me punë në shtetin e Izraelit si pjesë e stafit ndërkombëtar të organizatave të huaja apo agjencioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – OKB-së”

Nga kjo Ministri konfirmojnë për “Gazeta Blic” se nga informacionet e deritanishme asnjë shtetas i Kosovës nuk ka humbur jetën apo lënduar

“Nga informacionet e pranuara deri më tash nuk raportohet për ndonjë shtetas të Republikës së Kosovës që ka humbur jetën apo është apo është lënduar.MPJD i bënë thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës që kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë numrin e mëposhtëm emergjent të Ambasadës së Kosovës në Izrael:+9720586340450Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shpreh falënderimin dhe mirënjohjen ndaj Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrit, Igli Hasani, për mbështetjen dhe ndihmën e ofruar” deklaruan nga MPJD për “Gazeta Blic”.