Lajme

MPJD mban mbledhje komemorative për Arben Rugovën, Gërvalla: Me kontributin e tij dëshmoi vullnet ndaj Republikës sonë

03/20/2024 13:46
nga:G B

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka organizuar mbledhjen komemorative, në nderim të jetës, veprës dhe kontributit të zyrtarit të kësaj ministrie, Arben Rugova, i cili vdiq të mërkurën, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se lajmi për vdekjen e Arben Rugovës i ka tronditur të gjithë.

“Lajmi për vdekjen e hershme na ka tronditur të gjithë neve në Ministri dhe të gjithë ata që e njohën. Jemi mbledhur për ta kujtuar, angazhimin e Arben Rugovës, përmes kontributit të tij ai dëshmoi vullnet dhe përkushtim të palëkundur në Republikën tonë”, tha Gërvalla.

“Angazhimi i tij në Ministrinë e Jashtme ka lënë gjurmë të thella në institucionin ku punoi. Vdekja e tij e hershme ka krijuar një zbrazëti në institucionin tonë dhe mungesa e tij do vërehet për një kohë të gjatë. Do mbetet pjesë e historisë dhe arritjes së tij në Ministrinë e Jashtme”, shtoi ministrja.

Gërvalla tha se Arbenin do ta kujtojnë edhe si njeri të mirë urte e të afërt me kolegë.

“Do t’u mungojë shokëve, miqve por më së shumti familjes së tij e cila më shumë se kurrë ka nevojë për ne. Ne emër të Ministrisë shprehu ngushëllime për familjen Rugova. Ta kujtojmë përherë Arbenin si njeri të qeshur, dashur e të zellshëm”, tha ajo.

Ndërsa, Sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Behar Isma, tha se ka vështirë të flas për të ndjerin Arben Rugova, vdekja e tij e hershme ka lënë zbrazëti të madhe.

“Në këto momente kur jemi mbledhur për Arbenin, por pa Arbenin, kam vështirë të gjejë fjalë qoftë për juve familjarë miq e shokë. Largimi nga kjo botë i njerëzve si Arbeni krijon zbrazëti për vendin në përgjithësi. Ishte një gazetar, bashkëpunëtori i jashtëzakonshëm për gjithë vitet që ka punuar në Ministri. Arbeni kishte barrë kryesore informimin detyrën që e kreu me përgjegjësi. Ne sot po i japim lamtumirën e fundit por Arbeni di kujtohet gjithmonë, vepra puna do jetë e paharrueshme për MPJD”, tha ai.

Kurse, Ragip Rugova, nga familja tha se Arbeni vuante që të jepte maksimumin në punën e tij, duke qenë një njeri i përkushtuar.

“Njeriu në këto raste bën përpjeke që t’i radhit do koncepte dhe pastaj e kupton se duhet me iu kthy thjeshtësisë. Kur jemi të drejtë thjesht atëherë kemi krijuar një bazament”, tha ai.

“Se kam lehtë të flas për Arbenin, ka aspekte të një personaliteti të dikujt të afërtit dhe familja e din më së miri, e njohin më thellësi të shpirtit. Jam vëlla i mixhës së Arbenit, por kam qenë shumë me shumë kaq se kemi nda shumë të përbashkëta”, tha Rugova.