Lajme

MPJD konfirmon se Petkoviqit iu refuzua vizita në Kosovë

06/26/2024 14:08
nga:G B

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka konfirmuar se shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i është refuzuar vizita në Kosovë.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, nga Ministria thuhet se vendimi për refuzim të vizitës së Petkoviqit erdhi për shkak të shkeljes së marrëveshjes për vizitat e ndërsjella, deklaratat propaganduese dhe gjuhën e tij provokuese kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Në lidhje me pyetjet tuaja ju informojmë që personit në fjalë i është refuzuar vizita në Kosovë, për shkak të shkeljes së marrëveshjes për vizitat e ndërsjella, deklaratat propaganduese dhe gjuhën e tij provokuese kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Ndryshe, më herët, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se drejtorit të saj, Petar Petkoviq, i është ndaluar vizita në Kosovë me rastin e festës së Vidovdanit.

“Që një vit e gjysmë, Petkoviqit është duke iu ndaluar udhëtimi në Kosovë dhe kremtimi i festave më të mëdha me serbët në provincë dhe mbështetja e tyre për shkak të ndalesave të jashtëligjshme nga Kosova”, ka thënë zyra serbe në një njoftim.