Ministria e Punëve të Jashtme ruse njoftoi sot se sekuestrimi i tankerit rus “Marinera” përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare detare dhe lundrimit të lirë.
Deklarata e Ministrisë shpreh “shqetësim serioz” për “veprimin e paligjshëm ushtarak” të kryer nga forcat amerikane kundër cisternës së naftës, raporton Interfax.
Ministria i bëri thirrje Uashingtonit që të “rikthehet në respektimin e normave dhe parimeve themelore të lundrimit detar ndërkombëtar” dhe të ndalojë menjëherë veprimet e paligjshme kundër anijes “Marinera”, si dhe anijeve të tjera që kryejnë aktivitete legjitime në det të hapur.
“Ne përsërisim kërkesën tonë që pala amerikane të sigurojë trajtimin njerëzor dhe dinjitoz të qytetarëve rusë në tanker, të respektojë në mënyrë strikte të drejtat dhe interesat e tyre dhe të mos pengojë kthimin e tyre të shpejtë në atdhe”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Punëve të Jashtme ruse i bëri më parë thirrje Uashingtonit që të mos ndërhyjë në kthimin e rusëve nga cisterna e sekuestruar “Mariner” në atdheun e tyre.
Sekuestrimi, i cili mund të përshkallëzojë tensionet me Rusinë, erdhi pasi anija cisternë, e njohur fillimisht si Bela-1, kaloi një “bllokadë” detare amerikane të cisternave të sanksionuara dhe refuzoi përpjekjet e Rojës Bregdetare të SHBA-së për të hipur në të, raportoi Reuters, duke cituar burime.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se anijet luftarake ruse, përfshirë një nëndetëse ruse, ishin në afërsi kur u zhvillua operacioni që përfshinte forcat amerikane dhe britanike.


