Fenerbahçe pësoi një humbje të turpshme ndaj Hataysporit, ekipi i cili ra nga kategoria , në raundin e parafundit të Superligës Turke.
Gjigantët e Stambollit humbën 2:4 dhe janë 11 pikë prapa kampionëve Galatasaray , dhe trajneri Jose Mourinho pranoi se skuadra e tij luajti pa motivim.
“Ndeshja mund të ndahet në dy pjesë. Ndërsa ishim 11 kundër 11, ne kryesuam dhe patëm disa raste të tjera. Pas kartonit të kuq, gjërat ndryshuan. Gabimi i portierit tonë doli të ishte vendimtar për rezultatin përfundimtar”, komentoi portugezi.
“Disa lojtarë e dinë se do të largohen nga skuadra, kështu që luajtën pa motivim. Ata që janë të pasigurt për të ardhmen e tyre gjithashtu nuk treguan më të mirën e tyre”, pranoi Special One.
Kur u pyet nëse do të jepte dorëheqjen, portugezi u përgjigj se ndjente mbështetjen e plotë të menaxhmentit të klubit.
Një nga gazetarët e provokoi Mourinhon duke i kujtuar se në 7 vitet e fundit nuk kishte drejtuar një ekip që merrte pjesë në Ligën e Kampionëve.
“Në këto 7 vjet, kam luajtur në dy finale në turne evropiane dhe kjo është më shumë sesa ka parë futbolli turk në të gjithë historinë e tij”, u përgjigj Mourinho.
/GazetaBlic Sport/


