Sporti

“Mourinho dinak”, Pioli: Kemi menduar edhe një tjetër lëvizje në merkato

01/13/2024 23:02
nga:E K

Pas Matteo Gabbias dhe Filippo Terraçianos, Milan kërkon edhe një tjetër mbrojtës për pjesën e dytë të sezonit. Këtë e konfirmoi trajneri Stefano Pioli në konferencë për shtyp para ndeshjes së të dielës ndaj Romës në San Siro.

Ndër të tjera, tekniku i kuqezinjve shtoi se pas eliminimit nga Kupa e Italisë, Milani duhet të rikthehet te rezultatet pozitive.

“Na mungon ende një mbrojtës, klubi po punon për ta mbushur këtë boshllëk. Folëm gjatë pas humbjes me Atalantën në Kupë, duhet të reagojmë dhe të pësojmë më pak gola. Eliminimi nga Kupa e Italisë dhe Champions League sjellin zhgënjim, por duhet të shohim përpara.

Mourinho thotë se Milani është për titull? Mou është një “top-player” nga pankina, është edhe dinak e shumë i zgjuar. Para ndeshjeve të këtij lloji, ai i bën gjithmonë komplimente kundërshtarëve. Ndeshjet ndaj Romës nuk janë të lehta, ata i lejojnë shumë pak hapësira kundërshtarëve.

Skuadra është një gjendje të mirë sa i takon aspektit fizik, duhet të bëjmë më mirë. Por, unë nuk jam aspak i bezdisur nga kritikat dhe aq më pak i shqetësuar. Do të punojmë për t’u përmirësuar”, u shpreh Pioli.