Lajme

Mosparaqitja e Kurtit në Prokurori, Çitaku: Qeveria është në luftë speciale me sistemin e drejtësisë

12/16/2024 19:28
nga:G B

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka komentuar mosparaqitjen e kryeministrit Albin Kurti në Prokurorinë Speciale.

Në emisionin “Dpt te Fidani” në Klan Kosova, Çitaku thotë se kjo nuk është hera e parë që i pari i qeverisë shpërfill institucionet e pavarura të Kosovës, dhe se kjo është një luftë speciale e Qeverisë karshi sistemit të drejtësisë, njofton Klankosova.tv.

“Fatkeqësisht kryeministri i Kosovës, në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm me këtë aktin e fundit, ka demonstruar shpërfillje për institucionet e pavarura, qofshin ato të drejtësisë, qofshin mediat, qofshin sindikata, qoftë sektori privat e kështu me radhë”, u shpreh ajo.

“Drejtësia nuk mund të trajtohet me kësi lloj gjuhe dhe forme nga dikush që është i pari i ekzekutivit. Çfarë shembulli jep kryeministri i Republikës së Kosovës, një qytetari, një 15-vjeçari, një 20-vjeçari që jeton sot në Kosovë?”, pyeti Çitaku.

“Kjo është një luftë speciale e Qeverisë kundër institucioneve të pavarura dhe kundër sistemit të drejtësisë në Kosovë, dhe është për keqardhje”.