Lajme

Mosftesa në samitin në SHBA, Daniel Serwer: Kosova e ka ende sfidë korrupsionin, të merret si mesazh

11/05/2021 21:27
nga:M K

Kosova nuk ndodhet në listën e shteteve e 100 shteteve të ftuara nga Shtëpia e Bardhë, për Samitin e Demokracive që do të mbahet në dhjetor të këtij viti. Përveç Kosovës, në këtë listë nuk figurojnë as Serbia dhe Bosnja.

Profesori amerikan dhe eksperti politik për Ballkanin, Daniel Serwer, në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net tha se një arsye e cila do të mund të cilësohej si pengesë për Kosovën për mos t’u thirrur nga Shtëpia e Bardhë është korrupsioni, ndonëse sipas tij Qeveria aktuale në Kosovë është duke e luftuar.

Ai po ashtu i theksoi edhe arsyet që sipas tij e kanë lënë edhe Bosnjën e Serbinë jashtë listës së të ftuarve në samit.

“Secila ka sfidat e veta: për Kosovën, më e madhja është korrupsioni, të cilin qeveria aktualisht po e sulmon; për Bosnje dhe Hercegovinën, çështja kryesore është kushtetuta, e cila siguron dominimin e partive politike nacionaliste etnike; në Serbi, përveç gjykatave dhe mediave, ekziston dështimi për të njohur të kaluarën e saj dhe përpjekjet për të ushtruar ndikim të padrejtë në vendet fqinje”, ka thënë ish-diplomati amerikan.

Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, ka shtuar se asnjëra nga këto shtete nuk ka një demokraci tërësisht të konsoliduar, por që ai potencoi se Kosovën dhe Bosnjën nuk do t’i vendoste në një kategori të njëjtë me Serbinë. Sipas tij, Serbia ka vendosur kontroll mbi mediat dhe gjykatat.

“Asnjë nga këto vende nuk është një demokraci plotësisht e konsoliduar, megjithëse unë do ta vendosja Kosovën dhe Bosnjën në një kategori të ndryshme nga Serbia, e cila de facto ka rivendosur kontrollin autokratik mbi mediat dhe gjykatat. Kjo nuk është aq e vërtetë për Kosovën dhe Bosnjën”, tha eksperti politik.

“Po, duhet marrë si mesazh. Nëse dëshironi të jeni në klubin demokratik, duhet të siguroni jo vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe një shoqëri më të hapur dhe pluraliste”, tha ai.