Lajme

Mosekzekutimi i pagave, Tahiri: Ne do të kërkojmë menjëherë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit

10/01/2024 13:46
nga:G B

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri e ka quajtur dështim të papranueshëm të Qeverisë, mos ekzekutimin e pagave për shërbyesit publikë.

Ai tha se kjo është një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut dhe të drejtës themelore për të gëzuar pronën.

“Qeveria e Kosovës ka kaluar çdo kufi me vonesat e saj të papranueshme në ekzekutimin e pagave për 80,000 shërbyes publikë. Ky dështim flagrant është një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut dhe të drejtës themelore për të gëzuar pronën. Shërbyesit publikë janë shtylla e vendit tonë dhe mohimi i realizimit të pagave të tyre me kohë është një akt i neglizhencës së rëndë dhe mosrespektimit ndaj qytetarëve, njëherësh shërbyesve civil të Kosovës”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Tutje, Tahiri tha se është një keqpërdorim i fondeve publike.

“Duhet theksuar se ky poashtu është një keqmenaxhim me elemente keqpërdorimi të fondeve publike, një dështim i madh në detyrë, dhe një shkelje e parimeve që duhet të udhëheqin një qeveri të përgjegjshme. Kjo vonesë shkakton jo vetëm dëme financiare për mijëra familje, por gjithashtu pezullon dhe mohon mundësinë e qasjes në shërbimet dhe të mirat publike, madje edhe në ato esenciale, nga të cilat qytetarët mbështeten çdo ditë. Pasojat janë të rënda, dhe qeveria nuk ka ofruar asnjë llogaridhënie të vërtetë apo zgjidhje”, tha ai.

Tahiri njoftoi se do të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq. Ne do të kërkojmë menjëherë një seancë të jashtëzakonshme plenare të Kuvendit për ta mbajtur këtë qeveri përgjegjëse. Publiku meriton përgjigje dhe ne kërkojmë veprime të menjëhershme për të korrigjuar këtë padrejtësi”, ka deklaruar Tahiri.