Lajme

Mosekzekutimi i pagave, Hoti: Është neglizhencë ndaj detyrave ligjore që ka Ministri i Financave

10/01/2024 11:10
nga:Sh R

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër Minisitrinë e Financave për mosekzekutimin e pagave për zyrtarët publikë.

Ai ka thënë se mosekzekutimin i pagave është neglizhencë ndaj detyrave ligjore që ka Ministri i Financave.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se kjo ministri është dashur t`i informonte paraprakisht zyrtarët.

“Ministri i Financave edhe të dielën ishte shumë i angazhuar me inxhiniering të shifrave ekonomike për të portretizuar mesazhet politike, të cilat atij dhe ministrave të tjerë ua dikton partia. Por, nuk e kishte idenë se ditën tjetër nuk do të ekzekutoheshin pagat për rreth 85 mijë zyrtarë në sektorin publik. Kjo sjellje është neglizhencë ndaj detyrave ligjore që ka Ministri i Financave. Më e pakta që ai do të duhej të bënte është informimi paraprak se pagat nuk do të ekzekutohen, si dhe sqarimet për arsyet dhe hapat e ndërmarrë për zgjidhjen e çështjes”, ka shkruar Hoti.

Ai ka vlerësuar se lënia me ushtrues detyre e pozitave kryesore në administratë e dëmton administratën shtetërore.

“Tendenca për të vendosur kontrollin mbi administratën shtetërore, duke lënë me ushtrues detyre pozitat kryesore po shkon në dëm të zyrtarëve shtetërorë dhe gjithë administratës. Si mund të mbajnë shtet këta kur bëjnë lëshime të tilla?”, ka shkruar Hoti.