Lajme

‘Moscertifikimi i Listës Serbe’, Bugaqku: Vendim i paligjshëm, narrativë për t’u përdorur për fushatë elektorale!

12/03/2025 10:11
nga:Y I

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur dje ka refuzuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Vetëm dy vota kanë qenë për, dy kundër, ndërkaq anëtarët e tjerë kanë abstenuar.

Në lidhje me vendimin e KQZ-së për mos-certifikimin e Listës Serbe ka folur për “Gazeta Blic”, Vullnet Bugaqku nga KDI.

Bugaqku tha se ky është një vendim i paligjshëm dhe se një sjellje e tillë e disa prej anëtarëve të KQZ-së për të mos certifikuar këtë subjekt politik po shërbën më tepër si një narrativ për tu përdorur më shumë për fushatë zgjedhore.

“Në aspektin legal siç është konsideruar disa herë, ky është një vendim i paligjshëm dhe duket që kjo sjellje e disa antarëve të KQZ për të mos certifikuar këtë subjekt politik po shërbën më tepër si një narrativ për tu përdorur më shumë për fushatë zgjedhore se sa një veprim i përgjegjshëm shtetëror e institucional” tha Bugaqku për “Gazeta Blic”.

Në lidhje me këtë vendim ka patur reagime të shumta nga komuniteti ndërkombëtar.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar ashpër pas këtij vendimi.

Sipas BE-së, ky vendim është i gabuar dhe bie ndesh me standardet ndërkombëtare për një proces të drejtë e gjithëpërfshirës.

“BE në Kosovë shpreh keqardhje për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës që të mos e certifikojë Listën Srpska për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 28 dhjetorit” thuhet në reagimin e tyre.

Edhe misioni i OSBE-së në Kosovë ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin për moscertifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

“OSBE në Kosovë shpreh zhgënjimin e saj të fortë – dhe shqetësimin e thellë – për vendimin e disa përfaqësuesve të partive politike brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të refuzuar ose për të abstenuar nga miratimi i kërkesës për akreditim të Listës Serbe për përfshirje në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Misioni dënon veprimet që minojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje. Veprime të tilla përfaqësojnë një largim të qartë nga standardet zgjedhore të pranuara ndërkombëtarisht” thuhet në reagim raporton “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

 

Refuzohet certifikimi i Listës Serbe

OSBE-ja reagon pas moscertifikimit të Listës Serbe, shpreh shqetësimin me polarizimin politik në KQZ

Ambasada e SHBA-së, pas mos-certifikimit të Listës Serbe: Përpjekje përçarëse e LVV-së