Lajme

Mos publikimi i draft statutit të Asociacionit/ Deklarohen analistët: Nga Haradinaj u kuptua se është antikushtetues

11/07/2023 22:25
nga:G B

Draft statuti i Asociacionit nuk është publikuar. Për këtë janë hedhur kritika ndaj Qeverisë për mos transparencë.

Lidhur me këtë, analistët kanë mendime të ndryshme.

Njohësi i marrëdhënieve politike, Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se s’ka ndodhur asnjëherë që drafti i marrëveshjes të publikohet para nënshkrimit.

“Asnjëherë nuk ka ndodhur në këtë dialog që drafti i marrëveshjeve të publikohet para dakordimit apo edhe nënshkrimit. Marrëveshja e 2013-ës, as parimet e 2015-ës nuk janë publikuar paraprakisht”, shprehet ai.

Sipas Racit, publikimi i tij mund ta minojë arritjen e marrëveshjeve dhe rrezikon qëndrimet e palëve.

“Çdo publikim i drafteve mund ta minojë arritjen e marrëveshjeve, hap debate dhe diskutime sepse janë drafte dhe rrezikon qëndrimet e palëve ndaj njëra-tjetrës por edhe vetë ndërmjetësuesve”, thotë Raci për Gazeta Blic.

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi, thotë se populli i Kosovës duhet të informohet për draft statutin e Asociacionit.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se s’ka të dhëna të qarta për draftin, derisa disa thonë që e ka parë e disa jo.

“Nuk ka të dhëna të qarta mbi draft statutin e Asociacionit. Disa thonë e kemi parë. Z. Haradinaj e ka lexuar. Z Krasniqi vetëm për shkarazi. Ndërsa, LDK e ka parë. Nuk ka të dhëna mbi përmbajtjen e Asociacionit. Nuk dihen kompetencat dhe organet”, vlerëson ai.

Kelmendi thekson se nga Haradinaj u kuptua se drafti është antikushtetues.

“Nga z.Haradinaj mësuam se në hyrje të draftit qëndron një klauzolë e cila obligon verdiktin e Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin e komunave në shumicë serbe. Nga kjo vërehet se vetë titulli i draftit, nëse është, draft statut i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është  antikushtetues. Sipas Kushtetutës së Kosovës, shteti i Kosovës është shtet multinacional. Nuk theksohen në normat kushtetuese përkatësia nacionale. Andaj, Asociacioni i emërtuar serb, është antikushtetues”, potencon profesori për Gazeta Blic.

Ai shton se qeveria duhet ta publikojë draftin, pasi është për të ardhmen e Kosovës dhe populli duhet ta dijë se ku po shkon Kosova e ndërtuar me gjak.

“Veç kësaj, nuk kemi të dhëna mbi kompetencat. Mbi bazën logjike, mjafton që kompetencat e komunave të bashkohen, të barten në Asociacion, dhe ky subjekt del me autonomi të gjerë. Asociacioni ka edhe organet e veta, si kryetarin bordin drejtues dhe të tjerë. Faktet e tilla tregojnë domosdoshmërinë që qeveria duhet të publikojë draft statutin. Nuk ka rëndësi se kush ka thënë jo publikimit nga ana e qeverisë. Ky draft është për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Populli duhet të dijë se çka dhe ku po shkon Republika e ndërtuar me gjak. Mjaft me lojëra politike”, deklaron Muhamet Kelmendi.

Ndryshe, sot kryeministri Kurti ka thënë se ky draft statuti i Asociacionit është më i avancuar por që kanë pasur vërejtje dhe ato ia kanë dërguar Lajçakut./Gazeta Blic/

 

“Jemi në terr informativ”/ Halimi: Qytetarët duan ta shohin draft statutin e Asociacionit – s’ka pse të jetë mister

Haradinaj për draft-statutin e Asociacionit: Serbia ka arsye të ndihet fituese

Ish deputeti i LDK-së: Drafti të publikohet kur të pranohet, Kurti tani t’i ftojë në takim liderët e opozitës dhe t’i informojë për atë